Inva Mula: Përkulja nuk është asnjëherë e përgatitur
Përkulja nuk është asnjëherë e përgatitur, varet se si vjen momenti.Karriera në një moment të caktuar kthehet në rutinë, për arsye se aktiviteti është i jashtëzakonshëm, lëvizjet, udhëtimet, repertori që ndërron, teatrot, ndaj nuk më bëjnë më përshtypje që nuk jam në të njëjtin teatër, me të njëjtët kolegë e dirigjentë. Por më mungon gjithmonë prania e publikut shqiptar, për arsye se unë e zhvilloj karrierën jashtë dhe në qoftë se publiku shqiptar nuk ka mundësi të vijë të më shohë, të paktën të jem prezente dhe kjo ishte thjesht një shprehje dashurie e konsiderate për të thënë që unë jam gjithmonë me ju dhe vi me anë të kamerës.
Përkulja nuk është asnjëherë e përgatitur, varet se si vjen momenti.Karriera në një moment të caktuar kthehet në rutinë, për arsye se aktiviteti është i jashtëzakonshëm, lëvizjet, udhëtimet, repertori që ndërron, teatrot, ndaj nuk më bëjnë më përshtypje që nuk jam në të njëjtin teatër, me të njëjtët kolegë e dirigjentë. Por më mungon gjithmonë prania e publikut shqiptar, për arsye se unë e zhvilloj karrierën jashtë dhe në qoftë se publiku shqiptar nuk ka mundësi të vijë të më shohë, të paktën të jem prezente dhe kjo ishte thjesht një shprehje dashurie e konsiderate për të thënë që unë jam gjithmonë me ju dhe vi me anë të kamerës. Marr shkas nga një reagim i juaji për mungesën e publikut shqiptar, një ndjesi shumë dinjitoze në fakt të jesh e shqetësuar për dashurinë e një publiku që padyshim ju njeh mirë e ju do shumë.
Unë kam një pyetje të drejtpërdrejtë: Në gjithë këto vite, sa shfaqje keni dhënë ju në Teatrin e Operës dhe Baletit?
Asnjë, dhe unë kam ardhur sigurisht për koncerte, për evenimente, kam qenë e ftuar gjithnjë nga profesor Zhani Ciko, por edhe nga drejtorët që kanë paraprirë profesor Zhanin. Kam qenë gjithmonë e ftuar, por e kam justifikuar duke thënë se më mungon koha, dhe në fakt më mungon. Mirëpo kur ne duam, koha gjendet. Nuk është fakti se unë nuk dua të vi, por është fakti se kam dashur të marr një kohë më të gjatë për të bërë diçka dinjitoze. Sepse nëse ka një publik që nuk do më falë as gabimin më të vogël, i cili ka dëshirë të kënaqet vërtet dhe të jetë i përpirë nga ajo që mund të bëj, ky është vetëm publiku shqiptar dhe është një përgjegjësi shumë e madhe.
Si e ndjeni veten ju tani, ju dukem miqësor?
Nuk kam pasur asnjë dyshim për këtë. Më pëlqen mënyra franceze. Ne të dy jemi miq të vjetër dhe unë ju dua fort. Përpara se të pyes për "Mirei"-n, do të kthehemi shumë vite më parë. Unë kam intervistuar shumë personazhe të njohur në një cikël për BBC-në, "The desert island disk" (që do të thotë disku i ishullit të shkretë). Unë mbaj mend shumë mirë batutën mbyllëse të programit, kur ju thatë që në një ishull të shkretë do të donit të kishit një bukë të mirë, një djathë të mirë dhe një verë të mirë.Dhe nuk e kam ndryshuar.
Në atë bashkëbisedim që patëm atëherë, i cili ishte nëpërmjet telefonit, se nuk mundëm t”ju takonim, mua më ka bërë shumë përshtypje dhe kam idenë se është në interes të publikut zëri juaj te pjesa e mrekullueshme e të kënduarit të Lucia Della Mermurit, në kolonën zanore të filmit "Elementi i pestë", që është regjistruar në një studio audio në Paris, e cila kishte lidhje me Lyk Pesso.
Ju s'e keni treguar asnjëherë këtë. A mund të na e tregoni më me hollësi?
Në fakt ja vlen ta tregoj. Unë në atë moment isha në Bon të Gjermanisë dhe këndoja një opera të Puçinit ("La rondine") dhe më vjen një telefonatë ato ditët e fundit. Ishte agjenti im, i cili më thotë se duhej të shkoja në Paris menjëherë pas premierës, për të incizuar muzikën e një filmi. Nuk më bëri asnjë shpjegim për rëndësinë e filmit. Ai më tha vetëm: "Ia vlen (sepse isha në atë kohë dhe interpretuese e operës së Lucia Della Mermurit). Është një pjesë e Lucia Della Mermurit, që nuk ke nevojë ta mësosh se e ke në repertor, por pastaj është dhe një pjesë tjetër e shkruar nga kompozitori Eric Sera, që është diçka tepër akrobatike për zërin, por mos ki merak, ti je muzikante e mirë, do të ta japin partiturën dhe do ta bësh ”a prima vista” (quhet në fushën e muzikës diçka që e bën për herë të parë".
Atëherë thashë, po shkoj në Paris dhe... Ka qenë një ditë dhjetori. Atë ditë ishte një nga grevat më të mëdha të Parisit, bëhet fjalë për vitin 1995 dhe ishte komplet gjithë trafiku i paralizuar, kështu që unë për të arritur nga aeroporti deri në shtëpi bëra, nuk e di, 3-4 orë rrugë me taksi. Dhe më në fund kisha kohë vetëm të ndërrohesha dhe të shkoja në regjistrim, pa pushuar, pa asnjë gjë, mbas një nate të lodhshme të një premiere. Dhe shkoj fare e papërgatitur emocionalisht, psikologjikisht dhe nuk e dija rëndësinë e personazheve që unë do të takoja në atë shtëpi. Shtëpia ishte një shtëpi shumë e bukur në "Mo Martre". Ishte një shtëpi e vjetër, por e transformuar në një studio muzike. Atje banonte Eric Sera, i cili është gjithnjë kompozitori i Lyk Pesso. Ai ka shkruar të gjithë filmat e Lyk Pesso dhe ka marrë famën me "Le gran ble", një film shumë i famshëm, sepse muzika ishte e jashtëzakonshme në atë film. Më prezantoi me Lyk Pesson e Eric Serën dhe më thanë: "Kjo është partitura që duhet ta bësh ”a prima vista”".
Kur hytë aty brenda, si e përgatitën ata studion?
Jo, kjo ishte pjesa e dytë.
Atëherë, më thanë: Inva ke dëshirë ta shikosh kush luan në këtë film?
Dhe përpara meje shfaqet Brus Willis. Tani unë ngela. Thashë nuk ka mundësi, mos bëhej fjalë për diçka tjetër. Dhe aty pashë, vërtet ishte një produksion i "Gomosë" së Francës, po në një bashkëpunim, i cili ishte bashkëpunimi i parë që bënte kinematografia franceze me Hollywood-in. Dhe atje pashë të gjithë personazhet e filmit... E kjo skenë nuk ishte xhiruar. Ishin xhiruar skenat e tjera, po kjo skenë e filmit ende jo..., për arsye se çdo gjë u bë sipas personazhit tim dhe nëse vini re, edhe hapja e gojës e këngëtares (e cila nuk është një këngëtare, por një aktore) më imiton shumë mirë, për arsye se Lyk Pesso më ka filmuar gjatë gjithë kohës dhe ka studiuar hapjen e gojës dhe gjithë mënyrën se si unë këndoja, si interpretoja, pavarësisht se nuk kisha përpara publik, por kisha përpara objektivin e njërit prej regjisorëve më të mëdhenj sot në botë, Lyk Pesso.
Por Mirelle (Mirei) nuk është rol i lehtë. Mirei është një rol i vështirë. Futet tek operat disiplinore, në kuptimin që ka shumë volum dhe është shumë e vështirë. Inva, pse pranuat ju ta bënit këtë?
Pranova, pasi duhet thënë që njeriu ka nevojë të përballet me sfida në jetë dhe sfida të çon përpara. Duke qenë se kisha interpretuar shumë role (tani në repertorin tim ka gati 100 role)... po përsëritja vetveten. Dhe kur m”u bë ky propozim, pranova pa reflektuar, pasi ky propozim vinte nga një mjeshtër shumë i madh i teatrit, i muzikës, i regjisë. Dhe bëhej fjalë për Nicola Xhoel, i cili është regjisor i madh francez, por aktualisht dhe drejtor i operës së Parisit. Prandaj ishte një njohës shumë i mirë i repertorit, një dashamirës i imi dhe nuk mund të thosha jo, se isha e bindur që përpara se ai ta bënte këtë pyetje, e kishte reflektuar dhe kishte parë mundësitë e mia vokale dhe interpretative. Dhe thashë menjëherë po. Mora partiturën, që ishte një libër voluminoz, dhe pashë që Mirei gati 90% të gjithë kohës ishte në skenë duke kënduar. Pra i gjithë roli përplaset dhe mbahet mbi peshën e shpatullave të Mireit, gjë që ne nuk e hasim në vepra të tjera, për arsye se rolet ndahen midis personazheve. Atje pashë që kishte vërtet diçka që unë ndoshta isha shpejtuar për ta pranuar, por thashë çfarë do humb në këtë moment të karrierës sime! Megjithëse isha e bindur që do dilja mirë, për arsye se kam besim në vetvete.
Sadopak i trembeshit... do më lejoni ta quaj jo mossukses, por ta quaj në mënyrë provokuese... një fiaskoje!
Po, sepse, siç ka thënë një mikesha ime, Vera Grabocka: "Dështimin e kemi me vete, por ne shkojmë për fitore".
Ju më keni thënë njëherë se, si soprano, si muzikante, e gjeni veten dhe jeni më e orientuar në operën verdiane. Është kjo e vërtetë?
Jo, pjesërisht e vërtetë, se edhe Verdi ndahet në disa etapa. Është Verdi që ka shkruar operën "Rigoleto", "La Traviata"...
Pra është Verdi klasik në vetvete, pastaj është më dramatik?
Unë kam luajtur role, siç i përmenda më përpara, të Verdit, por nuk mund të luaj role të tilla si "Trovatore", sepse ato i përkasin një zëri shumë më ndryshe se natyra e zërit tim.
Cila operë ju ka bërë ju më shumë përshtypje pozitive dhe si e keni ndjerë veten Cili është suksesi juaj më i madh?
Suksesi më i madh... Shpresoj që nuk e kam kapur suksesin tim më të madh, se ashtu do isha shumë e kënaqur me veten time. Ka pasur momente, për shembull opera "Rigoleto" në arenën e Veronës, që bën pjesë edhe në film. Janë imazhe të jashtëzakonshme, duke menduar që të jesh e duartrokitur në një publik prej 18 mijë vetash është shumë impresionuese.
Kërcënohen sopranot! Janë si sportistët! Vjen një moment kur bën një llogari kurajoze me veten dhe thua: "Ok, tani nuk do të pretendoj sa kam pretenduar gjithë jetën " Apo ju nuk e mendoni ende?
Unë nuk e mendoj ende, por nuk është se ne kërcënohemi nga opinioni. Ne kërcënohemi në radhë të parë nga konkurrenca. Është konkurrenca që të nxjerr jashtë loje. Nëse ti nuk je në formë, nuk ripërtërihen kontratat. Dhe ti shikon në një moment që kalendari mbetet bosh dhe ky është kërcënim në fakt. Është një kërcënim tepër i natyrshëm, edhe në raport me kualitetin.
Këndoni në dush?
Jo, në dush këndojnë ata që jashtë dushit nuk këndojnë dot.
Për një periudhë kohe, përveç sukseseve në skenat e mëdha, ka pasur tituj gazetash për një transformim të jetës suaj private martesore. Si e ndjeni veten tani
Varet në ç'kuptim. Do të thosha se ka qenë dhe vazhdon të jetë një lloj ataku, i cili më ka lënë një shije shumë të hidhur. Nuk ka qenë kuriozitet, ka qenë "të flasim gjëra që nuk na përkasin". Arriti puna deri atje sa unë bëra një intervistë në muajin mars, duke folur me një sinqeritet shumë të madh dhe duke treguar versionin tim të pastër, që kisha një lloj detyrimi moral përballë publikut tim. Kishte opinione pro dhe kundra, siç ka gjithnjë. Mua nuk më interesonte çfarë mendonin njerëzit, më interesonte që unë përpara publikut isha shumë e sinqertë. Më vonë këto fjalë u transformuan dhe morën një karakter që... Më ka ndodhur diçka shumë e çuditshme. Gjithnjë seancat e gjyqit të divorcit ishin në gazetë të nesërmen. Në një nga seancat e fundit nuk arrita të komunikoja me avokatin, duke qenë se unë isha në shfaqje, dhe doja të dija si kishte kaluar.
Një shoqja ime në Paris më tha se mund ta gjeja në internet të gjithë seancën. Fillova t”i ndiqja seancat e gjyqit nga goja e gazetarëve që shkruanin të nesërmen në gazetë, dhe mbushnin faqet e gazetave me çështjen time private, çka është dhe do ngelet një dhimbje e madhe në zemrën time. Kam menduar se ky ishte një mosrespekt ndaj personazhit sepse edhe nëse një natë më parë, ose në gjithë atë periudhë, unë isha në të gjitha skenat e botës, duke mbajtur mbi supe një peshë shumë të madhe të profesionit, e të gjithë kësaj Shqipërisë që jemi së bashku, asnjë gjë nuk u fol për shfaqet e mia. Gazeta ishte e mbushur dhe Njerëzit kënaqeshin duke lexuar proceset e divorcit tim nëpër gazeta. Them që ndoshta, jo vetëm unë, por askush, nuk mund ta meritojë një ndëshkim të tillë.
Cili ka qenë reaksioni dhe si jeni munduar ta mbroni djalin nga ky ballafaqim e problem i vështirë?
Djali ka fatin që nuk jeton në Shqipëri dhe lidhjen me shtypin shqiptar nuk e ka të drejtpërdrejtë. Në këtë kohë kam bërë shumë intervista në shtypin francez, por nuk është interesuar njeri për ndryshimin e statusit tim martesor. Kjo është një ngjarje që më përket vetëm mua, dhe unë dëshiroj që të ngelet private.
Vazhdoni të mos keni interes për politikën?
Nuk kam asnjë interes, por ndjek me dëshirë gjithçka që ndodh këtu.
E ndjeni veten parisiene Konsiderohet Parisi qyteti juaj?
Unë nuk e kam jetën të përqendruar në Paris, pasi udhëtoj jashtëzakonisht shumë. Por Parisi është vendnisja dhe vendmbërritja e gjithë biletave të mia. Është një qytet që është bërë shumë i dashur për mua dhe do ngelet i tillë, pasi është vendlindja e djalit tim, dhe janë shumë gjëra të lidhura me atë qytet, por nuk është një lidhje e tipit "po nuk jetova më në Paris, do jetë një humbje e madhe për mua".
Keni menduar ndonjëherë që të bëni një kthim të përjetshëm në Shqipëri?
Nuk e kam menduar, por asgjë në jetë nuk parashikohet.
Si e keni ndjerë veten gjatë xhirimeve Çdo të thotë t”ju xhirosh juve Ju kanë xhiruar njerëz si Kuke, Erion Muharremi, tani edhe Endri... Si është
Në fakt e kam pasur këtë eksperiencë dhe gjej momentin të përshëndes Palin dhe Zerinën, të cilët janë miqtë e mi dhe ata kanë filluar të më japin atë guston e të ndjekurit nga një kamera. Unë atëherë nuk e kuptoja rëndësinë. Isha e ndjekur nga një sy magjik dhe atëherë ndoshta nuk ndjehesha shumë "rehat" me kamerën. Ndërsa në këto momente të xhirimeve të fundit unë isha në paralel edhe me "Top Channel" dhe me "France 3". Bëheshin 2 emisione në të njëjtën kohë, por isha shumë e lumtur me rezultatin, se vërtet ishin të njëjtat pamje, ishte i njëjti subjekt, e njëjta muzikë, por ishin dy këndvështrime: si mund të shikojë kamera e një shqiptari dhe si mund të shikojë kamera e një njeriu europian.
...I dallon dashuria?
Në çdo gjë që bëjmë dashuria është kryesore. Pa dashuri nuk ka asgjë. Nuk dua të komentoj dhe të ve përcaktimet mbi preferencat, por emisioni i Endrit ishte i jashtëzakonshëm, filmimet janë të jashtëzakonshme dhe unë i përshëndes dhe ju uroj të vazhdojnë të bëjnë emisione të tilla, se kanë një potencial të jashtëzakonshëm.
Si është gjithë dita juaj?
Në fakt, unë bëj dy zgjime, një është ai i mëngjesit, që bie zilja në orën 07:20 dhe është zgjimi me dashurinë e madhe për të përqafuar Antonin, i cili zgjohet për në shkollë. Ky është zgjimi i parë, që përgatit Antonin për në shkollë. Mbasi Antoni ikën në shkollë, unë bëj një gjumë të dytë, i cili është një gjumë i domosdoshëm, pasi unë fle shumë vonë, nuk fle para orës 02:00. Atëherë, duke qenë se një sy i çlodhur është shumë më i bukur, fle dy orë të tjera gjumë dhe bëj një zgjim të dytë. Unë pi çaj jeshil, ha një lugë mjaltë, një bukë të vogël të thekur dhe pi një kafe.
Si janë 5 minutat para shfaqjes?
5 minutat para shfaqjes... Është momenti i vetëm kur unë i them vetes "Ok". Çdo gjë ndodhi, zërin e kam të ngrohur, bëj filmin në kokën time, shikohem në pasqyrë për grimin dhe në ato 5 minuta duhet të përqendrohem e duhet të bëj një meditim të shkurtër për të parë në ç”raport jam me vetveten.
Bëni një lutje
Sigurisht. Në emër të publikut, ju falënderojmë dhe ju presim në një koncert të madh në Shqipëri.
- Rovena Dilo: Dashuria do na shpëtojë
- Olen Çezari: Më në fund këtu është hapur horizonti
- Mariza Ikonomi: Njerëzit kanë harruar të ëndërrojnë
- Genta Ismajli: "Dua te jem gjithmone ne maje"
- "I Dreamed A Dream", albumi më i shitur në Britaninë e Madhe
- Dafina Dauti premton sukses në karrierë
- Këngëtarja Arta Bajrami flet për martesën e saj
- Inva Mula: Përkulja nuk është asnjëherë e përgatitur
- Rihanna - Ruleta Ruse
- Vesa Luma - Skena po me pranon per bukurine, zgjuarsine dhe kengen joshese















Cfare mendimi keni per kete artikull, ju pelqen apo jo?