Total: (50581)
Parajsa.com

Parajsa

... per nje jete me te mire

Risite e modes shqiptare te sezonit pranvere-vere 2003

0

Risite e modes shqiptare te sezonit pranvere-vere 2003  Risite e modes shqiptare te sezonit pranvere-vere 2003 sportivo moderne 2 R isitë e modës shqiptare të sezonit pranverë-verë 2003.

Deri diku, veshja jep impakte në opinionet e të tjerëve dhe varet konsiderueshëm nga mjedisi rrethues. Nuk mendoni se do shfaqnit stonaturë gjatë një pritjeje zyrtare, po të paraqiteshit me një palë atlete, xhinse dhe xhup me kapuç, ndërsa të tjerët kanë veshur kostume, kollare e femrat funde stofi dhe këpucë me taka Duam sduam ne, pamja jonë plotësohet nga veshjet tona. Për të dhënë suplemente për lexuesin, mbi tendencat e modës aktuale, kontaktova me stilisten e mirënjohur Rezarta Skifteri. Ajo tha se kryesisht, në këtë sezon do të përdoren materiale si pambuku, linoja, tesutot e holla, napat me ornamente, xhinsi i hollë, pasi në trup janë praktike dhe të rehatshme. Ngjyrat dominante përbëhen nga koloret e ylberit, të ndezura e natyrisht nuk do të mungojnë ato klasiket: e bardha dhe e zeza. Rrobat kamuflazh, tip ushtarak, me po atë shpejtësi që erdhën, po ashtu edhe do të zbehen, duke ia lënë vendin dizenjove, prerjeve dhe ornamenteve të tjera. Para dy vjetësh gjalluan pantallonat treçerekshe. Kjo modë po rikthehet, por në forma dhe prerje të tjera. Këto lloj pantallonash tashmë janë tip prerje peshkatare, të pajisura me mansheta, lidhëza apo zinxhira deri te gjatësia e kaviljes. T- shirt të ngushta, këmishat për meshkuj e për femra do kenë më pak qëndisje dhe më shumë stampime, tendencë kjo e cila mungonte vitin e kaluar. Pjesa e sipërme e veshjeve pasurohet me tantella, gogla, temina dhe gjithfarë ornamentesh të tjera. Veçantësi është se edhe 28-29 vjeçarët, me këtë stil të ri do të kenë luk adoleshenti. Këpucët dhe sandalet me taka mjaft të ulta, çantat me më shumë qëndisje, ornamente, kolorite, janë disa risi të tjera të shfaqura në këtë periudhë. Ndërkohë, stilistja Anila Zajmi, përveç pambukut, linosë e xhinsit, preferon materialet elastike, ngjyrat dhe tonalitetet e okrës, të kuqes, oranxhit dhe bardh e zisë. Si aksesorë, vë në përdorim fularët me madhësi të ndryshme, varëset e përbëra nga materiale natyrale si dru, qeramikë, guacka. Sipas saj, koncepti indian i bizhusë është mjaft interesant. Pra, nëse vjet moda ishte klasiko-moderne, sivjet ajo priret ndaj sportivo-modernes. Është më e zhdërvjellët, me shumë kolore dhe aksesorë në pjesën e sipërme. Shkurt, moda shqiptare për këtë sezon etiketohet:

SPORTIVO- PRAKTIKE- EKSTRAVAGANTE

Kush dominojnë: rrobaqepëset apo stilistet

Shqiptarët i sigurojnë veshjet nga burime të ndryshme: gabi, tregu çam, tregu i madh, të ardhura nga jashtë etj. Ka edhe që blejnë veshje firmato nëpër butikë apo që qepin tek specialistët përkatës. Stilistët, me talent dhe punë kanë menaxhuar sfilata, atelie mode e klientelë të fuqishme. Megjithatë, është fakt që pothuaj në çdo rrugë të Tiranës, punishtet e rrobaqepësisë kanë mbirë si kërpudhat, pa përmëndur këtu rrobaqepësit që punojnë në shtëpi pa liçencë. Çmimet e rrobaqepësve variojnë nga popullariteti që fitojnë. Zakonisht, ndjekin një kurs rrobaqepësie katër mujor dhe pas përfundimit të tij, synimi i pothuaj të gjithave është të iniciojnë aktivitete private, duke qepur, qoftë edhe në shtëpi me Butterfly ose Singer. Në këtë kontekst, lind pyetja: A ka konkurencë midis stilistëve dhe rrobaqepësve, qoftë në aspektin e klientelës dhe në atë të prestigjit Anila Zajmi mendon se ndryshimin mes tyre dhe seleksionimin e duhur e bën vetë publiku, klientela. Rezarta Skifteri pohon: Për tu bërë stilist, duhet minimumi 4 vjet arsimim specialiteti. Shkolla bën doktorin, juristin, inxhinierin; shkolla bën edhe stilistin. Çdokush mund të dizenjojë, por kjo nuk mjafton. Stilisti i mirë njeh proporcionet e trupit të klientit (të rregullta apo të çrregullta), fizionominë dhe kolorin e fytyrës, prerjen e flokëve, strukturën anatomike, ndërthurjen e materialeve. Ai duhet të zotërojë teknikat e rrobaqepësit dhe nëse i referohemi, le të themi qepjes së një fundi, kjo veshje nuk duhet marrë si fund i thjeshtë, por si vepër arti. Pra, procesi deri në përfundimin e plotë të një veshjeje kalon disa faza: dizenjimin, prerjen, qepjen, dekorimin. Gjithsesi, pyetja e mësipërme, në lidhje me këtë fluks punishtesh qepjeje e butikësh, është pak komplekse, pasi klientela varet nga shija dhe kuleta. Çdo kush dëshiron të thithë myshterinj dhe të sigurojë të ardhura me këtë zanat. Sofie Murati, instruktore e kursit të rrobaqepësisë shprehet se u ndje mjaft e shpërblyer moralisht, kur një ish-nxënësja e saj e kish takuar dhe duke u dridhur nga emocionet, i pat thënë: Të falenderoj, se me dijet që më ke dhënë, më ke bërë të pasur.

Skifteri dhe Zajmi
Në ateljen e Rezarta Skifterit kridhesh mes pirgjeve të copave, rrotave penjsh shumëngjyrësh, teminave, rruazave, kopsave, kremastarit të mbushur me veshje të përfunduara etj, etj. Ajo është e komunikueshme me klientët, e ëmbël dhe e bukur. Kur e pyeta nëse kish menduar ndonjëherë të bëhej modele, mu përgjigj duke buzëqeshur lehtaz se kjo dëshirë i përkiste viteve të adoleshencës. Origjinaliteti i saj qëndron se i përmbahet ekstravagantes më tepër se klasikes. I pëlqen asimetrikja, abstraktja, e çuditshmja. Një stil të ngjashëm ndan dhe Anila Zajmi, e cila shprehet se në vizionin e saj, e çuditshmja nuk përbën ekstravaganten, por stilin dhe më tepër se materialet, ka rëndësi ideja. Në atelje i rri afër manari i saj, një qen shtatlartë, i kuqërremë, që të krijon imazhe mondane, delikate, paqësore dhe të pafajshme Duke u kthyer te Rezarta, është fakt i dukshëm që ekstravaganca e saj nuk njeh kufij, përderisa ka arritur të përpunojë materiale bruto dhe ti shndërrojë në vepra arti. Përfytyroni fustane druri, veshje me gjethe origjinale të thara, me copëza gazetash Ka shfrytëzuar materiale si: tel, rrjeta dritaresh, letra alumini, shishe plastike. Profesioni im është i vështirë, pasi has karaktere dhe shije të ndryshme njerëzish, por mrekullohem kur bëj dikë të bukur dhe kur klientët rikthehen tek unë- thotë ajo krenare. Në një sfilatë të organizuar jashtë Shqipërisë, një modele e huaj që u paraqit me veshjet e Rezartës, ra në sy të një agjencie mode, e cila i lidhi menjëherë kontratë 5 vjeçare. Nëse do kishte në dorë të zgjidhte ndonjë supermodele të huaj të sfilonte për të, Rezarta do preferonte Helen Kristensen, pasi është tepër ekspresive.

Komoditeti që i krijon një modele stilistëve tanë
Sipas eksperiencës botërore, përmasat ideale të një modeleje duhet të jenë: 90- 60- 90. Vajza duhet të jetë mbi 1.75 cm, me qafë mjellme, kavikula të theksuara, këmbë të gjata e fytyrë shprehëse. Në shtypin e shkruar, kemi lexuar edhe për një modele të huaj 1.62 e gjatë. Megjithatë, tendencat janë të ndryshme: disa preferojnë anoreksiket, disa të tjerë ato më me forma. Në Shqipëri nuk ka një shkollë apo agjenci të mirëfilltë modelesh, pasi mungojnë kushtet për ta realizuar një gjë të tillë. Duke parë nëpër atelietë e modës në Tiranë, postera apo albume fotografish, nuk është e vështirë të shquash fytyra misesh si: Valbona Çoba, Hygerta Sako, Çiljeta Xhilaga, Denisa Çela, Erdona Bjeshka, por edhe vajza të tjera të spikatura, që me ambicjen, talentin dhe eksperiencën e tyre, kanë bërë emër në modelingun shqiptar. Këtu mund të përmëndim të shpallurën modele më të mirë në Netët e klipit shqiptar, Skerdilajda Lalaj, e cila sfilon edhe në një klub relaksi. Ka vajza të zakonshme, të bukura perri, me linja trupore simetrike, shtatlarta, por sipas stilistëve, nëse nuk arrijnë ta interpretojnë veshjen, sjanë të prera për këtë profesion. Interpretimi i veshjes nuk konsiston vetëm në të ecurit dhe buzëqeshjen prej kukulle, po në përshtatshmëri. Kjo do të thotë që kur mban veshje sportive, duhet të ecësh me ritëm sportiv, mimika të jetë më e lirshme e kështu me rradhë. Nga disa burime konfirmojmë se për pjesëmarrjen në një sfilatë, një topmodele shqiptare paguhet mesatarisht 20 mijë lekë të vjetra, ndërsa në botë ky biznes është jashtëzakonisht fitimprurës. Gjithsesi, përveç vlerave monetare që ajo mbart, moda është një vlerë estetike, çlodhëse e që synon tiu shpjerë në botën e fantazisë, gjenialitetit dhe turbullimit të ëmbël.

Veshja zbukuron njeriun dhe kënaq Shpirtin.

Shkembejeni

Rreth autorit

parajsa

Parajsa.com është një portal i pavarur në gjuhën shqipe, i themeluar në vitin 2001, që ka depërtuar zemrat shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Çameri, Maqedoni, Mal të Zi, dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, për vite me rradhë, nëpërmjet një larmie temash të ndryshme nga të gjitha fushat e jetës.

Shkruani nje koment