Total: (49662)
Parajsa.com

Parajsa

... per nje jete me te mire

Festivali i 43 i kenges ne RTVSH – Ledina Celo perfaqesuesja ne Eurovizion 2005

0

Festivali i 43 i kenges ne RTVSH - Ledina Celo perfaqesuesja ne Eurovizion 2005 M brëmja e djeshme ka shënuar natën e fundit të Festivalit të 43-të të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Ne kete ngjarje te muzikes moren pjese 32 kengetare,këngëtarët konkurrues i janë nështruar një gare prej dy netësh, ku, pas një përzgjedhjeje, kanë mundur të hyjnë në natën finale vetëm 18 prej tyre. Juria përzgjedhëse, e përbërë nga emra të njohur të muzikës shqiptare, gjatë ditës së djeshme ka shpallur dhe emrat që do të këndonin në natën finale dhe, përsëri, pas një përzgjedhjeje do të shapalleshin vetëm tre prej tyre si më të mirët,nderkohe qe pritet qe fituesit do te perfaqesojne vendin ne Festivalin Evropian te muzikes, Festivalin e te Rinjve dhe Festivalin e Mesdheut.

Përreth dy orë, publiku artdashës ka mundur të ndjekë një festival nën prezantimin e balerinës së njohur Hueyda el Saied dhe Leon Menkshit. Të kompletuar në prezantim, kërcim dhe muzikë, ata nuk ia kanë kursyer spektatorit dhe çaste emocionuese nga ana e tyre.

18 këngët, si më të mirat, kalojnë për në finale
Këngët e përzgjedhura si më të mirat dhe që meritonin të ishin në natën finale, ishin vetëm 18 prej 32 këngëve që konkurruan. Gjatë paradites së djeshme këngët e shpallura si më të mirat i janë dorëzuar regjisorit Pali Kuke, i cili në sy të pjesëmarësve të festivalit, me anë të shorti të hedhur, ka caktuar numrin e konkurrimit për çdo këngëtar. Shumicën prej tyre e kanë bërë konkurrentët e rinj, talenti i të cilëve është zbuluar gjatë edicioneve të “Etheve”.

Në këtë numër mund të rendisim vajzat e “Etheve” nga Kosova; Vesa, Teuta, Rona; shkodrani Luiz Ejlli; Ingrid Jushi, Samanta Karavella, Klajdi Musabelli, si dhe emra të njohur në muzikën e lehtë shqiptare si: Ledina Çelo, Redon Makashi, Rovena Stefa, Mariza Ikonomi, Saimir Braho e të tjerë.

Pakënaqësi në kualifikimin e natës finale
Dihet që në një garë apo një festival nuk mund të gëzohen të gjithë. Dikujt i bie për pjesë të gëzohet, dikujt tjetër të hidhërohet. Kjo ka ndodhur edhe në festivalin e sivjetshëm, ku mjaft emra të njohur të muzikës së lehtë nuk kanë mundur të kualifikhen në natën finale. Ajo që të binte në sy këtë herë ishte përzgjedhja e interpretuesve të rinj, të cilët kanë bashkëpunuar me emra të mëdhenj kompozitorësh. Këngëtari Kozma Dushi është njëri prej konkurrentëve që këtë herë mbush plot 31 herë që konkurron. Me dëshirën e mirë se do të kualifikohej, të paktën në natën finale, ai ka marrë vesh lajmin se nuk do të kualifikohej. Po kështu, një këngëtar tjetër, që ka sjellë një këngë të bukur, shkruar nga bashkëshortja e tij, ka qenë Saimir Çili. Ai priste mjaft nga kënga e tij, por që nuk do të kualifikohej, atij nuk i kishte shkuar në mendje. Ndërsa bashkëshortja e tij, Suela Kalaja, autore e këngës, e kishte menduar që ai nuk do të kualifikohej, pasi, sipas saj, nuk kishte miq dhe shokë në juri. Por gjithsesi, këngët e përzgjedhura midis prurjeve të shumta për festivalin e madh kanë qenë me të vërtetë më të mirat, derisa u kualifikuan në festival.

Ledina rrezikon të humbasë balerinët
Këngëtarja e njohur Ledina Çelo në këtë festival është prezantuar me një këngë mjaft të bukur, që kush e shihte, me plot gojën, thoshte:” Kjo po, kjo do të fitojë, e meriton të shkojë dhe në Evropian, pa lënë pas dhe këngëtarin Redon Makashi, por edhe të tjerë, të cilët u duartrokitën dhe u pritën mirë nga publiku. Gjatë interpretimit në natën e dytë të festivalit ajo ka dalë në skenë me një sharm plot elegancë dhe me një grup balerinësh të përgatitur nga mjeshtri Arjan Sukniqi. Mirëpo gjatë paradites së djeshme bukuroshja Çelo është ndeshur me një incident të vogël, pasi trupa e baletit ka dhënë dorëheqjen. Gjithsesi, pas një paraqitjeje tepër dinjitoze dhe fitimit të një buje, Çelo është shprehur se mund të dalë pa balerinët. Por kjo mund ti prishë performancën e këngës. Deri në orët e pasdites ka qenë kjo gjendjes përsa i përket bashkëpunimit me baletin që luante një pjesë të rëndësishme në debutimin e Çelos.

Ledina Çelo – “Nesër shkoj” – Çmimi i parë
Perfaqesuese ne Eurovizion 2005

Luis Ejlli – “Hëna dhe yjet dashurojnë” – Çmimi i dytë
Do te konkuroje ne Festivalin e Mesdheut

Jonida Maliqi -”Frikem se më pelqenë” – Çmimi i tretë
Do te konkuroje ne Festivalin e Mesdheut

Vesa Luma, Rona Nishliu, Teuta Kurti – “Flakareshë”
Çmimi i të rinjëve – Festivalin e të Rinjve

Ledina, një nuse shqiptare në Eurovizion

Kanë kaluar vetëm dy ditë nga festivali, që e kurorëzoi fituese dhe përfaqësuesen shqiptare në Eurovizion. Janë ditë të ngjeshura mbushur me surpriza. Kënga e Adrian Hilës dhe Pandi Laços ka hapur rrugë të reja për Ledina Çelon. Por pse zgjodhën ritin e dasmës dhe figurat koreografike që vizatojnë këtë rit për në Evropian. Si u punuan dhe u mblodhën elementët krejtësisht shqiptare të këngës, ana skenike dhe të fshehtat me të cilat synojnë sfidën e Evropianit Fituesja e festivalit Ledina Çelo, rrëfen me detaje gjithë rrugën që e solli në këtë majë, dhe rrjedhën që po projektojnë bashkë me kompozitorin Adrian Hila.

U shpallët fituese e festivalit të 43-të dhe tani jeni përfaqësuesja e Shqipërisë në “Eurovizion 2005″.
Si kanë qenë këto dy ditë për Ledina Çelon

Këto dy ditë telefoni nuk ka reshtur. Në çdo moment kam marrë urime, pafund. Kam përjetuar emocione të pazakonta, sepse është diçka që nuk ndodh, ose ndodh fare rrallë. Kjo ndodhi para dy ditësh, dhe jam përballur me urime dhe telefonata, nga Londra, nga Franca, shumë fansa të mi, të cilët festonin, kishin organizuar parti për mua. Kishte telefonata pafund që nuk i njihja, ishin dhe kontaktet me mediat, ku duhet të jepja opinionet e mia pas fitores. Ishte një rrjedhë ndryshe rrjedha e këtyre dy ditëve.

Ju vetë festuat pas mesnate
(Qesh) Atë natë Padyshim që festova. Prindërit e mi, ishin dy njerëzit më të lumtur pas asaj që ndodhi. Kanë përjetuar emocione të papërshkrueshme edhe ata, sikurse dy vëllezërit e mi, që nuk kishin mundësi të ishin të pranishëm. Ata janë jashtë, por kontaktonin për çdo moment, me telefonata e mesazhe. Kur do të dalë Si do të dalë..

Kur ishte momenti që e ndjetë se do të prekni skenën e Festivalit Evropian
Ai momenti mbërrti vetëm kur u tha emri në skenë. Më parë nuk mund të parashikohej asgjë, sepse në garë ishin këngë vërtet shumë të bukura. Dhe atmosfera e detajet e muzikës shqiptare ndiheshin në shumë prej këtyre këngëve. Mund të përmend këngën e Shpëtim Saraçit, të tre vajzave nga Kosova, Flamur Shehut apo të Edmond Zhulalit, që ishin vërtet këngë të bukura. Krahas tyre ishin dhe vargjet e arrira të Agim Doçit, Arben Dukës, etj. Por trofeu do të shkonte në duart e njërit. Gjithmonë ka një fitues. Për humbës nuk mund të flasim në këtë rast, sepse ato janë këngë vërtet të bukura, këngë për tu dashur, që do të këndohen gjatë. Por megjithëse unë e njoh ndjesinë e një çmimi, e kam përjetuar edhe më parë, sërish këtë herë ishte ndryshe. Ky ishte një eveniment shumë i rëndësishëm, ishte garë më e fortë, ishte ambicja për në Festivalin Evropian.

Si lindi kjo këngë
Kjo këngë është ndërtuar në studion e Adit. Ai sapo kishte hedhur notat e para. Pastaj erdhi Pandi, me të cilin diskutimet u zgjeruan më tej, se si duhet të ndërtonim një këngë shqiptare, që të ketë brenda një fabul krejtësisht shqiptare. Dhe kënga po ndërtohej pak nga pak, derisa mori formën e plotë.

Pastaj menduam çfarë i duhej më tej Sepse është dasëm, duhej atmosferë dhe detaje dasme. Adi kishte një ide, Pandi një ide tjetër, unë një tjetër U krijua një trekëndësh mendimesh, derisa u arrit pika fundit dhe u kristaliazua ideja. U vendos të viheshin katër vajza që luajnë në violinë, që në fund të fundit janë vajzat, që nesër do të martohen, është një djalë me daulle i cili i tërheq këto vajza drej dasmës. Kjo ide, e një dasme, ku ka zhurmë, festë, muzikë, u realizua më së miri nga koreografi Arjan Sukniqi dhe stilistja Enada Atnikolla me veshjet skenike.

Pse zgjodhët një këngë me motive shqiptare, me një detaj mjaft të veçant siç është përjetimi i dasmës nga shqiptarët, apo detajin e daulles

Ritmet e njohura evropiane, janë të pranishme në Eurovizion prej shumë e shumë kohësh. Ne si shqiptarë, duhet të përfasqësohemi atje me diçka tonën, shqiptare. Na duhet diçka që përbën risi. Dhe fjalët e Pandi Laços, që vërtiten rreth dasmës, këtij përjetimi të veçantë tonin ndaj saj, arrijnë atje ku duhet. Sepse vërtet është origjinal dhe i veçantë ky lloj përjetimi. Në dasmën shqiptare ka lot, ka ndarje, që përjetohet mes nënës dhe bijës. Është një imazh i trishtë që endet mes atij gëzimi të madh dhe ngjarjeje të rëndësishme. Sepse femrat shqiptare gjithmonë e kanë konsideruar kulm në jetnë e tyre dasmën.

U ndje pak ngurimi, nuk ishe ajo Ledina qe e bredh skenen cep me cep

Po, sepse isha nuse, dhe i rezervova skenës vetëm lëvizjet që i duhen këtij karakteri, pak drojë, pak ngurim, si nuset që nisen për tek vjehrra.

Mendon se do të kuptohet kjo druajtje në skenën e Evropianit, ky përjetim
Besoj se po, pastaj veshja do të jetë pak më e stilizuar, ndryshe. Padyshim në Festivalin Evropian do të tingëllojë ndryshe, mbase do të ketë pak ndryshim në orkestrale, pjekuria e të kënduarit nga ana ime, sepse ambicja është më e amdhe. Edhe veshja do të ndryshojë, do të jetë mbase pak më e rehatshme e më skenike

Cili është kontakti i momentit me publikun në Francë ku ju po punoni aktualisht
Në këto momnete jam shkëputur. Por kontaktet janë të vazhdueshme. Kam një kontratë për një komedi muzikale, e cila ende nuk është kristalizuar si projekt, pasi kam patur shkëputje. Po me këtë kompani produksioni franceze kam shkuar në Bejrut, ku kam kënduar në një nga sallat më të njohura “musical”. Ndërsa në janar më prêt një kontratë e dytë me këngë botërore të njohura, por në versionin orient. Sidoqoftë, nuk arrij ta dalloj qartë rrjedhën për më tej. Sepse mbërriti dhe ky çmim dhe angazhimi i ri për në Evropian. Nuk di qartësisht si do të vijojë kjo rrjedhë.

Po në Shqipëri, përveç kësaj kënge që hapi rrugë të reja, po punoni me ndonjë album
Po, ka kohë që po punoj për albumin, ku një pjesë e madhe e këngëve janë realizuar nga Adrian Hila. Kam një bashkëpunim mjaft interesant me grupin kosovar “Ritmi i Rrugës”. Por mbi të gjitha do të veçoja dy balada që janë vërtet të bukura. Për njërën prej tyre, që titullohet “ditari” mendoj të realizoj një klip. Është një album që do të dalë shumë shpejt në tregun muzikor, dhe besoj do të ketë shumë befasi.

Muzika ime jashtë Shqipërisë
Në Francë, ku punon aktualisht, nuk mund të këndojë në gjuhën e saj. Edhe skena kërkon energji dhe pasione të tjera nga këngëtarja. “Këndoj këngë në versionin anglisht, ose frëngjisht. Dhe kjo jetë muzikore, duket se shkon mirë. Kam arritur të kem një kontratë, pasi fitova një konkurs. Jeta atje është tjetër gjë. Është një publik tjetër që nuk e njeh Ledinën që është e njohur në Shqipëri, është një publik që kërkon maksimumin, por jam e lumtur kur përmendet Shqipëria, në prezantimin tim. Ka momente që tingëllon si miklim. Sepse ndihem një artiste e kompletuar. Atje e kam kuptuar se nuk është vetëm vokali i rëndësishëm tek një këngëtar. Përveç tij dhe talentit, janë një sërë elemntësh skenikë që duhen përvetsuar. Është diçka komplekse”.

Hila, kënga në një studio italiane
Kënga e tij “Nesër shkoj” ka lindur nga njëqind bashkëkëshillime. Tani kompozitori Adrian Hila mendon se i gjithë ky bashkëpunim ishte shumë i frytshëm. “Donim të sillnim diçka shqiptare në skenë, që nga ritmet, melodia, me të gjithë elementët e saj, gajdja, daullja, motivet paksa veriore të violinave Shpresojmë të dalim mirë në Festivalin Evropian”- thotë Hila. Falenderon Televizionin Shqiptar, “që bëri të mundur ta ndjej vetë mbi shpatullat e mia integrimin në Evropë. Për mua nuk është gjë e vogël”. Kompozitori bën të ditur se përmes tratativave dhe bisedimeve të drejtorit Artur Zheji, kjo këngë do të rirealizohet në një studio me shumë emër në Itali.

Shkembejeni

Rreth autorit

parajsa

Parajsa.com është një portal i pavarur në gjuhën shqipe, i themeluar në vitin 2001, që ka depërtuar zemrat shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Çameri, Maqedoni, Mal të Zi, dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, për vite me rradhë, nëpërmjet një larmie temash të ndryshme nga të gjitha fushat e jetës.

Shkruani nje koment