Total: (121,983)
Parajsa.com

Parajsa

... per nje jete me te mire

Shqiptarët duhet ta njohin Gandin

0

Shqiptarët duhet ta njohin Gandin  Shqiptarët duhet ta njohin Gandin gandi 481016150

Homazh për Gandin. Shqiptarët duhet ta njohin Gandin, ja pse: – Për të kuptuar filozofinë e tij, të mbijetesës njerëzore, arsyen, prej të cilit nga Ilir Harshova u shkrua një libër për shqiptarët, duke vënë në dukje ato cilësi që ka shumë nevojë shoqëria shqiptare. Një grup esesh që vijnë si përgjigje e “totalitarizmit komunist që kaluam u përpoq ti barazonte e ti homogjenizonte njerëzit në çdo aspekt, dhe ia arriti deri në njëfarë mase ta bënte atë. Ai sheshoi ndryshimet midis njerëzve, duke krijuar një model të njeriut tipik mesatar mbi të cilin shteti kishte kontroll të plotë e prej të cilit njeriu i kishte krejt të kufizuara veprimet, madje edhe mendimet”.

Në fund të shekullit të njëzetë, revista e njohur amerikane “Time” shpalli, sipas zgjedhjes së saj, njëqind personalitetet më të shquara të shekullit të njëzetë. Sipas fushave të aktiviteteve, ajo i ndau ato në pesë grupe, me nga 20 persona në secilin grup. Njëri prej grupeve emërtohej: “Udhëheqës dhe revolucionar딝. Në këtë grup hynin kryesisht politikanë. Midis tyre ishte edhe Gandi.

Revista, veças, shpallte fizikanin, Albert Ainshtain, si personalitetin më të shquar të shekullit dhe, bashkë me të, edhe dy shoqëruesit e tij. Ata ishin udhëheqësit shoqërorë e politikë: indiani Mohandas Gandi dhe amerikani Franklin Delano Rusvelt (Franklin Delano Roosevelt). Po të kemi parasysh se për caktimin e Rusveltit në atë vend, patjetër, ka ndikuar edhe të qenët e tij amerikan dhe president dhe se Ainshtaini ishte më shumë shkencëtar e më pak udhëheqës shoqëror e politik, mund të thuhet se, për revistën “Time”, Gandi mbetet personaliteti shoqëror e politik botëror më i shquar i shekullit të njëzetë. Dhe, ndoshta, ajo revistë nuk ishte larg së vërtetës. Po ashtu, stacioni i mirënjohur radio-televiziv britanik BBC, zhvilloi një votim të drejtpërdrejtë në vitin 2000, për të përcaktuar njeriun më të madh të mijëvjeçarit që shkoi. Gandi zuri vendin e parë.

Por, Gandi, ndonëse ishte një udhëheqës shoqëror e politik që e çoi Indinë drejt pavarësisë dhe transformoi indianin e zakonshëm, për indianët ai ishte shumë më shumë se aq, ai ishte udhëheqës shpirtëror, i krahasuar vetëm me themeluesit e feve.

Në qoftë se shenjtërit dhe profetët e lashtësisë njihen sot për mendimet, fjalët dhe punët e tyre të cilat më shumë u janë atribuuar nga dishepujt dhe pasuesit, sesa kanë qenë të vërteta, Gandi njihet për mendimet, fjalët dhe punët e tij të sigurta, të gjitha të njohura e të faktuara, që nuk ndryshojnë aspak për nga rëndësia dhe madhështia prej atyre të shenjtëve apo profetëve të lashtë.

Luis Fisher (Louis Fischer), studiues dhe biograf i Gandit, si për të veçuar Krishtin, thotë: “Gandi ishte… ndoshta figura më e madhe e nëntëmbëdhjetë shekujve të fundit.”

Shkrimtari i dëgjuar indiano-britanik Salman Rushdie e karakterizon Gandin si: “Një personalitet shumë interesant, nga më kompleksët dhe nga më kontradiktorët e shekullit.” Gandi udhëhoqi çlirimin e Indisë, frymëzoi Lëvizjen Amerikane për të Drejtat e Njeriut, frymëzoi çlirimin pa dhunë të kontinentit afrikan, u nderua e u respektua kudo në botë, u kuptua, por mjerisht, edhe u keqkuptua.

Është vërtet e rrallë të gjenden njëherësh tek i njëjti person edhe shpirti më rebel, më i panënshtrueshëm e më i pakonformueshëm, edhe shpirti më i përulur, më i dhembshur e më i butë; edhe luftëtari më i papërkulur, edhe paqekrijuesi më i madh. Te Gandi ndesh njëkohësisht një shërbyes, një mësues e një prijës; një mendje të ndritur dhe një shpirt të madh; një vullnet të hekurt dhe një fjalë të fuqishme. Ishte i veçantë në harmonizimin e mendimit, fjalës dhe veprës. Thoshte atë që mendonte dhe bënte atë që thoshte. Sinqeriteti i tij, gati fëmijëror, në mënyrë paradoksale, ishte ndër armët e tij më të fuqishme. Me çiltërsi, me vërtetësi e me përulësi fitonte besimin e popullit dhe me atë besim triumfonte mbi të gjithë.

Gandi ia përkushtoi me vetëdije dhe me sinqeritetin më të plotë të gjitha energjitë e tij shpirtërore, mendore dhe fizike, të gjithë jetën, të gjithë qenien, parimeve dhe idealeve të tij. Jeta e Gandit, apo parimet dhe idealet e tij ishin e njëjta gjë.

Gandi nuk lindi dhe as nuk u ndihmua të bëhej ashtu si u bë: ai u vetëbë. Ai mendonte se për të ndryshuar botën, së pari, duhej të ndryshoje veten, prandaj thoshte: “Duhet të bëhemi ndryshimi që duam të shohim”. Ai ishte shembulli më i përsosur i ndryshimit, i përmirësimit, i shenjtërimit. Gandi bënte atë që mendonte se ishte e drejtë dhe jo atë që vlerësohej se ishte e nevojshme, komode, e leverdishme, popullore, e sigurt a mbresëlënëse. Çdo virtyt që mund të ekzistonte te njerëzit, gjendej te Gandi në shkallën më të lartë.

Gandi kuptoi se kishte diçka më shumë në jetën e njeriut nga ajo që kuptonte njeriu i zakonshëm. Ai kishte kurajë ta kërkonte, ta gjente dhe ta zbatonte atë dhe, njëkohësisht, të bëhej shembull për të gjithë.

Gandi nuk e pa kurrë politikën si biznes, si mjet përfitimi, ashtu sikundër e shohin pothuaj të gjithë ata që thonë se i janë kushtuar asaj. Ai hyri në politikë financiarisht i pasur, me mundësi dhe prirje për tu bërë shumë më i pasur, dhe doli prej saj qëllimisht krejtësisht i varfër. Për të politika ishte shërbim, jo përfitim. Ai nuk u interesua kurrë të merrte pushtet, pa le më të përpiqej ta mbante atë. Marrja dhe mbajtja e pushtetit nuk ishin preokupacione të tij.

Gandi, me ide dhe praktika gati-gati të reja, më të shumtën e herëve të kundërta me idetë dhe praktikat konvencionale, tradicionale dhe mbizotëruese, me një veprimtari intelektuale, shoqërore e praktike të përmasave të mëdha; me moralin, jashtë të cilit nuk mund të dilte asgjë, arriti të realizonte ato që të tjerët nuk mundën ti realizonin me metodat e “politikës klasike”: me metodat e mashtrimit, të hipokrizisë, të demagogjisë apo të dhunës. Në kundërshtim me metodat e njohura të luftës: të luftës me ushtri të armatosur gjer në dhëmbë, të luftës asgjësuese, të luftës vrasëse, Gandi ngriti ushtrinë e paqes, ushtrinë e moralit, ushtrinë e së vërtetës, ushtrinë e dashurisë. “Nuk mund të ngresh një ushtri pa dhunë. Nuk mund të drejtosh masat drejt vdekjes, pa pasur në arsenalin e komandës dënimin me vdekje”, – thoshte Trocki. Gandi provoi të kundërtën. Ai tha: “Në një mënyrë të butë, mund të tronditësh botën”. Ushtria e Gandit u ngrit pa dhunën më të vogël dhe ajo vetë nuk e përdori kurrë atë, megjithatë, ajo realizoi atë që ushtria e dhunës së Trocki-t nuk mundi ta realizonte dot.

Jeta, veprimtaria dhe filozofia e Gandit rrjedhin të gjitha nga parimi i tij themelor: “i devotshmërisë ndaj së vërtetës dhe i ndjekjes së saj me çdo kusht”. E vërteta u bë për të parim dhe parimi u bë fe.

Nga parimi i madh i ndjekjes të së vërtetës, rrjedh dhe parimi tjetër, po ashtu i madh i Gandit që, për të ndjekur dhe gjetur të vërtetën, nuk duhet përdorur dhunë, se dhuna është e padobishme, dhe, madje, e dëmshme në gjetjen e së vërtetës; se dhuna e fsheh të vërtetën, se dhuna e degradon dhe çfisnikëron si atë që e përdor, edhe atë ndaj së cilit ushtrohet. Gandi, mund të thuhet, ishte apostulli i së vërtetës dhe mosdhunës. Sipas Gandit, cilido që përqafon parimet e së vërtetës dhe mosdhunës dhe i ndjek ato, kupton shpejt se ato janë superiore ndaj të gjitha parimeve të tjera që zbatojnë njerëzit në botën reale. Kështu, ai kupton se mosbindja civile e padhunshme është më burrërore se mosbindja e dhunshme; se trimëri nuk është të vrasësh, por të mos gjunjëzohesh; se duhet të paraqitesh si të tjerët dhe jo ndryshe prej tyre; se duhet të jesh sa më shumë modest, i thjeshtë e i përulur dhe sa më pak kapadai, mburravec e megaloman; se nuk duhen përdorur kurrë mjete të këqija edhe për të arritur qëllime të mira; se nuk duhet të përkrahësh të drejtën e forcës, por forcën e së drejtës; se njeriu më parë duhet të kryejë detyrat dhe më pas të kërkojë të drejtat.

Pasi njihesh me parimet e Gandit, kupton se shumica e parimeve që përdor bota reale janë të padrejta, imorale, afatshkurtra dhe, prandaj dhe të pafrytshme.

Gandi punoi me mish e me shpirt për çlirimin e Indisë. Por, për Gandin, çlirimi i Indisë nuk donte të thoshte thjesht pavarësi. Çlirimi i Indisë donte të thoshte krijimi i një individi të ri, i një individi të lirë, i një individi të moralshëm që para pavarësisë. Ai kërkonte “një indian të lirë sot, para një Indie të lirë nesër”. Për Gandin, liria politike nuk kishte asnjë kuptim, në qoftë se nuk sigurohej liria sociale, kulturore apo edukative.

Gandi nisi, përpunoi dhe vuri në jetë një filozofi të cilën, pasi e eksperimentoi vetë, ia la si përvojë dhe testament njerëzimit, për ta përdorur për qëllime praktike çlirimtare, humanizuese dhe emancipuese. Mendimet dhe shkrimet e Gandit, ende jo të plota, janë përmbledhur, pas vdekjes së tij, në rreth 100 vëllime. Prej tyre janë nxjerrë thënie në formë maksimash, nga më interesantet, nga më të urtat, nga më humanet, nga më të fuqishmet. Forca e Gandit nuk mund të kuptohet pa to. Ato janë pjesë e pandarë e çdo libri që shkruhet për të.

Gandi ka shkruar një autobiografi që e ka titulluar: “Mohandas K.Gandhi, The Story of My Experiments with Truth, an Autobiography” (Mohandas K. Gandi, Tregimi i eksperimenteve të mia me të vërtetën, një autobiografi). Ndonëse kjo autobiografi mbaron në vitin 1920 dhe Gandi punoi edhe mbi 25 vjet të tjera, ngjarjet që përshkruhen në të janë të mjaftueshme, ashtu si thotë ai vetë, për të njohur anët personale të tij, formimin e karakterit të tij. Ky libër i këndshëm, i bukur, interesant u shkrua për tu botuar pjesë-pjesë në gazetë dhe prandaj është ndarë në kapituj të shkurtër të cilët e bëjnë leximin e tij të lehtë e çlodhës. Në këtë libër kuptohet formimi dhe transformimi i Gandit nga një person i zakonshëm, i ndrojtur, i turpshëm, i mbyllur në vetvete, që përveç ndjenjës morale nuk kishte asgjë tjetër që ta dallonte nga një njeri krejt i zakonshëm, në një person të guximshëm, në një person publik, në një prijës masash, në një luftëtar që tronditi kolonializmin, në një “luftëtar të shenjt딝, si e cilëson Nelson Mandela.

Gandi e botoi autobiografinë e tij si libër në vitin 1931. Romen Rolani (Romain Roland) i shkroi parathënien. Në të, ndërmjet të tjerave, thoshte: “Ky libër i madh që po lexoni, nuk është një autobiografi e zakonshme e frymëzuar nga narcizmi apo ekzibicionizmi moral. Ai është një tregim i eksperimenteve të tij me të vërtetën”.

Karizma e Gandit ishte e jashtëzakonshme, por shkaqet e asaj karizme ishin të ndryshme apo të kundërta me shkaqet e karizmave të udhëheqësve të tjerë që kishte parë bota deri atëherë, apo që pa më pas. Të tjerët e fitonin interesimin dhe mbështetjen e masave nëpërmjet fjalimeve butaforike, sharlataneske, demagogjike, hipokrite, histerike, plot gjeste e grimasa, me manipulime e me gjëmime të zërit, me klithma e me britma, me retorikë agresive e të vrazhdë, me kërcënime, me mallkime e me urrejtje për kundërshtarët, me premtime të gënjeshtërta për pasuesit. Musolini thoshte: “Ekstremizmi i dramatizuar gjithmonë bie në sy”. Turmat bien lehtë pre e demagogëve dhe këtë demagogët e dinë fare mirë. Shumica e tyre e përdorin demagogjinë poshtërsisht, për të marrë apo për të mbajtur fuqinë, për të sunduar të tjerët. Fjalimet e tyre, në shumicën e rasteve, nuk kanë asgjë me vlerë, përveç parullave dhe propagandës. Sipas Sbigniev Brzhezhinskit, oratorët totalitarë dhe, sidomos, Hitleri dhe Lenini, u mbështetën në slogane të thjeshta, të zgjedhura posaçërisht për tu dukur të leverdishme dhe bindëse për turmat. Ata i përgatisnin ato slogane për të zgjuar zhgënjimet, urrejtjet, dëshirat dhe emocionet e ndrydhura të turmave.

Gandi, ndryshe, i bënte për vete masat duke u folur shtruar, me zë të ulët, me zë të qetë, por me fjalë pasionante, plot mendim dhe ide, plot çiltërsi. Ai shpesh u fliste për gjëra që qenë krejt të kundërta me interesat e njohura apo instinktet e njeriut e, megjithatë, ato jo vetëm e dëgjonin, por dhe e ndiqnin. Gandi nuk përdori kurrë armën e urrejtjes, për të zgjuar anën kafshërore të njeriut. Ai nuk e keqpërdori kurrë njeriun. Ai u përpoq ti zgjonte atij anët humane: dashurinë dhe tolerancën. Gandi nuk detyroi askënd të shkonte e ta dëgjonte, si bënin diktatorët e kohës së tij dhe as nuk u përpoq të grumbullonte para dhe me to të paguante ata që do të shkonin ta dëgjonin, si bëhet sot. Megjithatë, dhjetëra mijëra e, madje, edhe qindra mijëra që nga larg, që nga shumë larg, shkonin ta dëgjonin apo ta shihnin. Magjia e tij ishte e jashtëzakonshme, forca e tij bindëse, gjithashtu. Gandi printe, ai as nuk detyronte dhe as nuk mashtronte a manipulonte. Ai u bë vërtet një udhëheqës shpirtëror i cili me besimin që krijoi, bashkoi të gjithë popullin indian. Gandi u bë, ashtu si thoshte Nehruja: “Një shprehje simbolike e dëshirave konfuze të popullit”. Secili gjente tek ai atë që dëshironte.

Fjala e sinqertë e Gandit ishte magjepsëse. Ajo bënte për vete aty për aty masat dhe i drejtonte nga rruga e mbarë. Zakonisht fjala e fuqishme, kjo dhunti që i besohet nga natyra një pakice, keqpërdorohet prej saj. Ajo shfrytëzohet jo për të shpallur mendimet dhe qëllimet e vërteta por, përkundrazi, për të mbuluar dhe fshehur mendimet dhe qëllimet, për tu dukur ndryshe, për të mashtruar, manipuluar dhe shfrytëzuar të tjerët, për ti drejtuar ata nga rruga e së keqes. Por, ajo mund të përdoret edhe pa dredhi, por si hipnozë, për të bindur të tjerët, për ti bërë ata të përqafojnë mendime dhe qëllime që shpallin dhe propagandojnë drejtpërsëdrejti të keqen. Gandi kurrë nuk e përdori fjalën, as për të mashtruar e as për të propaganduar të keqen.

Morali i mendimeve dhe veprimeve të Gandit, brenda një epoke dhe mjedisi që shquhej për imoralitet, të shtang. Gandi jetoi dhe luftoi në një periudhë në të cilën konfliktet botërore dhe shoqërore patën një acarim dhe vrazhdësi të theksuar. Ai jetoi dhe luftoi në kohën kur skllavëria ligjore ishte zhdukur nga shumë vende, por skllavëria reale, dallimi racial dhe etnik, ishte ende i ashpër dhe poshtërues. Në Indi, këtyre u shtohej edhe dallimi klanor.

Gandi jetoi dhe luftoi në një periudhë kur u zhvilluan dy luftëra të përbotshme, kur ideologjitë e urrejtjes dhe të dhunës ishin në fuqi në Gjermaninë Naziste, në Bashkimin Sovjetik Komunist e gjetkë dhe bënin kërdinë në këto vende kundër kundërshtarëve apo kundër atyre që i damkosnin si kundërshtarë, si armiq. Gandi jetoi në një kohë kur drejtuesve të atyre shteteve u atribuoheshin cilësitë dhe vetitë e perëndive me të cilat ata abuzonin në mënyrën më të turpshme e më çnjerëzore. Politika në ato vende ishte imoralizuar krejtësisht dhe ishte kthyer, në të vërtetë, në gjenocid kundër racave, klasave apo grupeve që cilësoheshin si të padëshiruara.

Gandi jetoi dhe luftoi në një periudhë kur militarizmi, agresiviteti dhe pushtimi japonez kërcënonin gjithë Azinë, kur nazizmi gjerman kërcënonte gjithë Evropën. Gandi jetoi dhe luftoi në një kohë kur kolonializmi i turpshëm kishte vënë nën vete gati gjysmën e botës. Gandi jetoi dhe luftoi kryesisht në Indi, duke predikuar vëllazërimin e duke pasur si ushtri një armatë të madhe civilësh të paarmatosur, të zbathur e të zhveshur, shumica analfabetë, të prapambetur e të paushqyer. Sot, kur e sheh Gandin në retrospektivë, përpjekjet e tij duken edhe më fisnike, edhe më të guximshme, edhe më të pabesueshme.

Shumë e njësojnë veprimtarinë e Gandit vetëm me trajtimin e pa dhunshëm të konfliktit politik, sepse e lidhin atë me luftën e popullit indian për pavarësi. Natyrisht, transformimi që Gandi i bëri luftës politike për pavarësi në drejtimin e mosdhunës është një kontribut shumë i madh i tij për zgjidhjen e konflikteve, por aktiviteti i tij, filozofia e tij, e tejkalojnë shumë herë aspektin thjesht teknik politik. Aktiviteti dhe filozofia e Gandit shtrihen në transformimin e thellë të njeriut dhe shoqërisë, në krijimin e një mjedisi të moralshëm e të pa dhunshëm, në zgjidhjen e krizave dhe mosmarrëveshjeve të çfarëdoshme me mënyra civile.

Gandi përpunoi dhe zhvilloi metodën e satiagrahës, metodën e luftës së padhunshme, të qëndresës civile, me të cilën ndërgjegjësoi dhe ngriti indianin e shtypur, indianin kokulur; nxori nga skutat e errëta gruan e nënshtruar dhe të prapambetur indiane dhe me to dërrmoi bazat e pushtuesit, bazat e kolonializmit dhe i dha qytetërimit një model të ri të zgjidhjes së konflikteve. Ai tregoi se konfliktet mund të zgjidheshin edhe pa dhunë dhe se kjo mënyrë zgjidhjeje ishte më e qëndrueshme dhe më fisnikëruese për të dy palët kundërshtare.

“Gandi, – thotë Eknath Easwaran, – na tregoi rrugëdaljen nga problemi më i madh i kohës sonë: nga problemi i zhdukjes apo vënies nën fre të spirales së dhunës në çdo fushë të jetës, të asaj spiraleje degraduese që kërcënon të na çojë përsëri në barbari. Gandi na tregoi për potencialet e mëdha evolucionare të njeriut, për botën e tij shpirtërore e cila nuk duhet të jetë abstrakte apo ëndërrimtare, por duhet të jetë një botë ku të zënë vend idealet më të larta, ku t i jepet kuptim çdo ane të personalitetit, ku devocioni të shfaqet në çdo punë e cila duhet të jetë vetëm shërbim”.

Gjenerali amerikan Daglas MekArtër (Douglas MacArthur), Komandanti i trupave amerikane në Oqeanin Paqësor gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka thënë: “Në evolucionin e qytetërimit, për të mbijetuar, duhet ti përmbahemi besimit të Gandit se, jo vetëm është i gabuar përdorimi i forcës, porse ai përmban në vetvete edhe farën e vetë-shkatërrimit”.

Qëndresa e civile e Gandit, nuk është thjesht një filozofi apo një teknikë e përpjekjes dhe e luftës pa dhunë, një metodë e mposhtjes të së keqes dhe e triumfit të së drejtës pa gjak, ajo është, mbi të gjitha, një mënyrë jete, një mënyrë sjelljeje e përditshme. Ndërsa qëndresa e dhunshme vihet në jetë në raste të rralla, qëndresa civile, qëndresa individuale, qëndresa morale, moskonformizmi me të keqen, mund të vihet në jetë përditë e prej secilit dhe prandaj është edhe më e vlefshme, edhe më universale, edhe më e përjetshme.

Gandi synoi krijimin e një shoqërie ku të vlerësoheshin dhe të shpërbleheshin butësia, ndershmëria, drejtësia; ku të krijohej një atmosferë mbytëse për të dhunshmit, për të pandershmit, për të padrejtët. Ai synoi krijimin e një shoqërie të të barabartëve, pa VIP-a, pa bos-a e pa liderë nga ata që përdorin çdo mjet për të qenë në qendër të vëmendjes, që kërkojnë me çdo kusht bindje të verbër nga të gjithë, që dominojnë paturpësisht jetën e të tjerëve. Në njëfarë mënyre, ai ishte anarkist. Gandi synoi ndërtimin e një shoqërie ku njerëzit të vlerësoheshin nga ato që i jepnin shoqërisë dhe jo nga ato që i merrnin asaj.

Gjatë luftës për pavarësinë e Indisë, Gandit iu desh të ndeshej jo vetëm me forcën, zotësinë, dinakërinë dhe intrigën e anglezëve por, më shumë, me problemet e brendshme të vetë Indisë: me ndarjet brenda shoqërisë indiane në myslimanë e hindu, në persona me kastë dhe në persona pa kastë; me injorancën dhe prapambetjen e indianëve. Në këto ndeshje nuk doli gjithnjë i suksesshëm, edhe dështoi, por, si thotë Luis Fisheri, ishte i madh e dinjitoz edhe në dështim, kur shumë të tjerë janë fare të vegjël e të neveritshëm në fitore.

Për të përqendruar të gjithë kujdesin dhe energjitë për punën, në përgjigje të detyrave publike, Gandi hoqi dorë nga pasuria, sikundër kishte bërë edhe Buda dhe bëri “betimin e dëlirësis딝 në vitin 1906, kur ishte tridhjetë e shtatë vjeç. Ai vendosi të hiqte dorë nga kënaqësitë sensuale e seksuale, pasi ato, sipas tij dhe sipas kulturës indiane, pengonin punën në shërbim të së tjerëve. Ai hoqi dorë nga përpjekjet për pushtet, por shtoi përpjekjet për tu përkryer si njeri.

Shumë janë të shenjtë, por nuk veprojnë, japin vetëm direktiva. Gandi bënte vetë i pari atë që predikonte dhe e çonte atë deri në ekstrem. Buda dhe Jezusi kanë pasur dhe kanë një ndikim të madh në qytetërimin botëror. Që të dy ata ishin mësues, por asketë. Ata nuk u ndeshën me problemet e shoqërisë me veprime të drejtpërdrejta. Ndryshe prej tyre, Gandi u zhyt në vorbullën e politikës, në të gjithë dhunën e saj, në të gjitha gënjeshtrat e saj, në të gjitha hipokrizitë e saj, në të gjitha intrigat e saj, në të gjitha demagogjitë saj, në të gjitha rreziqet e saj dhe doli prej tyre i pa ndotur. Kishte të drejtë Ainshtaini që thoshte se gjeneratat që do të vinin, do ta kishin të vështirë të besonin se një njeri i atillë të kishte jetuar në këtë botë.

Në çlirimin nga zgjedha britanike, Gandi nisi një reaksion zinxhir. Justifikimi moral i evropianëve, se kishin kolonizuar Azinë dhe Afrikën për ti zhvilluar, me ngritjen kundër tyre të masave qindra milionëshe indiane të drejtuara nga Gandi, ra poshtë. Miliona njerëz u çliruan. Çlirimi i një nënkontinenti ishte një arritje e madhe, por kjo nuk përbënte arritjen më të madhe të Gandit. Në luftërat e tij, në luftërat ku ai dha kontribute të jashtëzakonshme, kryesore nuk ishin fitoret e tij në kuptimin që kemi ne për to. Kryesoret ishin metodat, mjetet që përdori që, edhe pse të njohura, ishin të nënvleftësuara, të përçmuara dhe të lëna pas dore. Këto metoda dolën të kishin një efekt të jashtëzakonshëm, jo vetëm mbi atë që i përdorte, por edhe mbi kundërshtarin e tij.

Veçanërisht metodat që përdori Gandi dhe natyra e karakteri i tij, patën efekt të madh mbi popullin indian. Me ato metoda ai fitoi dashurinë dhe besimin e popullit të tij si asnjë udhëheqës tjetër i mëparshëm apo edhe i mëpasshëm. Shumë udhëheqës të tjerë edhe mund ti afrohen Gandit nga ndjekja që u ka bërë populli i tyre gjatë kohës kur ata kanë qenë në pushtet, por pas largimit apo pas vdekjes, kur figura e tyre është njohur dhe kuptuar më mirë, kur kërkesa për dashuri e respekt të imponuar për ta nuk ka ekzistuar më, ata kanë zbritur nga vendi që i siguruan vetes kur qenë në pushtet dhe disa, madje, edhe kanë thyer qafën. Gandi, përkundrazi, edhe pas vdekjes, vazhdon të ketë të njëjtin status si e pat edhe kur qe gjallë. Ai del të ketë qenë krejtësisht i pa njollë, ai del të ketë qenë autoriteti moral më i madh që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë.

Gandi praktikoi më shumë se cilido përpara tij çdo gjë të mirë të filozofisë hindu dhe të filozofive të tjera fetare a laike. Ai provoi se virtytet që predikonin qytetërimet e lashta ishin të nevojshme dhe të vlefshme edhe për qytetërimin e sotëm.

Mendimi i përgjithshëm ka qenë, dhe ende pak a shumë mbetet, se në politikë nuk ka moral, se nuk është e mundur që të jesh njëkohësisht i suksesshëm dhe të mbash ndershmërinë. Gandi vërtetoi se mund të jesh i suksesshëm në politikë, duke qenë krejtësisht i ndershëm. Dhe, kur flitet për ndershmëri, nuk kuptohet mungesa e korrupsionit ordiner, mungesa e demagogjisë apo mos rendja pas pasurisë dhe pushtetit, si kuptohet zakonisht për politikanët në përgjithësi, por kuptohet një lidhje e fortë pas parimeve morale në të gjitha aktivitetet e jetës. Gandi i tha dhe i vërtetoi botës se morali dhe politika nuk janë të papajtueshme. Ai vërtetoi se mund të bëhej politikë edhe pa demagogji, edhe pa hipokrizi, edhe pa sharlatanizëm, edhe pa dhunë, edhe pa gënjeshtër, edhe pa mashtrim, edhe pa dredhi, edhe pa fshehtësi. Gandi e fisnikëroi dhe e rehabilitoi moralisht politikën. Ai e ktheu atë në një veprimtari krejtësisht në shërbim dhe në të mirë të popullit dhe të vendit, në të mirë të njerëzimit dhe të botës. Ai i dha politikës bukurinë, nderin dhe vlerën që meritonte. Bismarku thoshte: “Politika prish karakterin.” Gandi vërtetoi se ajo thënie, ndonëse përgjithësisht qëndronte, kishte edhe përjashtime.

Gandi arriti të nxirrte nga njerëzit më të mirën që kishin dhe të krijonte nga njerëz të zakonshëm, njerëz të jashtëzakonshëm. Mësimet e Gandit u bënë frymëzuese për shumë individë në botë, të cilët u bënë udhëheqës të lëvizjeve të padhunshme për drejtësi shoqërore në vendet e tyre. Shumë prej tyre janë laureatë të Çmimit Nobel për Paqe.

Gandi ishte frymëzuesi i Martin Luter King-ut (Martin Luther King) i cili luftoi dhe arriti shumë për të drejtat e afro-amerikanëve në Amerikë. Gandi ishte frymëzuesi i Nelson Mandelës, i cili luftoi dhe dha shumë për thyerjen e aparteidit në Afrikën e Jugut. Gandi ishte frymëzuesi i Leh Valesës, i cili tronditi dhe krisi sistemin komunist në Evropën Lindore. Gandi është frymëzues i Dalai Lamës, i cili luftoi dhe lufton për çlirimin e Tibetit me mënyra paqësore. Gandi është frymëzues i Aung San Suu Kyi, udhëheqëses së lëvizjes së padhunshme për demokraci në Burma. Madje, edhe Ho Shi Mini ka thënë se ka qenë dishepull i Gandit.

Këta janë njerëz të shquar që duken të ngjashëm me Gandin, që janë ndikuar prej tij dhe kanë vënë në jetë shumë prej udhëzimeve të tij. Por sa miliona e miliona të tjerë të zakonshëm janë ndikuar tërthorazi e qetësisht nga Gandi dhe e kanë bërë pjesë të natyrës së tyre shumë nga parimet e Gandit. Dhe, kështu, duke qenë të ndikuar miliona persona, janë ndikuar edhe shumë shoqëri, duke u bërë më njerëzore. Ndofta, po të njihej Gandi dhe gandizmi me kohë prej nesh, edhe Shqipëria komuniste mund të ishte më ndryshe, madje jo vetëm Shqipëria komuniste, por edhe Shqipëria e sotme mund të ishte më ndryshe.

Njeriu lexon shumë në jetë. Atij i qëllon të lexojë përgjithësisht shkrime që i japin kënaqësi dhe e zbavitin – me to ai kalon kohën. I qëllon, gjithashtu, të lexojë edhe shkrime që i japin kulturë – me to ai bëhet më i ditur. Po ashtu, por më rrallë, i qëllon të lexojë shkrime që njëkohësisht e zbavitin dhe i japin kulturë. Por, i qëllon fare rrallë të lexojë shkrime që, njëkohësisht, edhe e zbavitin, edhe i japin kulturë, edhe e ndihmojnë të transformohet për mirë shpirtërisht e moralisht; e bëjnë më të virtytshëm, më me karakter, më të guximshëm, më njerëzor, më paqësor, më të drejtë. Shkrimet nga Gandi e për Gandin përgjithësisht e bëjnë këtë transformim, në mos në të gjitha aspekte, të paktën në disa. Por, edhe në qoftë se nuk arrijnë ta bëjnë këtë, edhe në qoftë se nuk arrijnë ta bëjnë dikë të transformojë veten, sepse nuk ka arsyen, predispozicionin apo forcën e duhur, së paku, arrijnë ta bëjnë të dallojë të mirën nga e keqja, virtytin nga vesi, e bëjnë të vlerësojë të mirën dhe të dënojë të keqen dhe kjo nuk është pak. Në qoftë se shkrimet për Gandin nuk i bëjnë këto, ka shumë të ngjarë që faji të jetë më shumë i atij që shkruan për të.

Epikurusi thoshte: “Njohja e mëkatit, është fillimi i shpëtimit.” Kur njeriu fillon të bëjë dallimin midis së mirës dhe së keqes, kur vlerëson të mirën dhe dënon të keqen, ai ka bërë një hap të madh drejt largimit nga primitiviteti. Gandi, me të gjithë forcën e shpirtit të tij, me të gjithë forcën e intelektit të tij, me të gjithë forcën e fjalëve të tij, me të gjitha veprimet e tij, me të gjithë jetën e tij, përpiqet të bëjë pikërisht këtë: ta bëjë njeriun të dallojë të mirën nga e keqja, ta bëjë atë të heqë dorë nga e keqja dhe të kapet pas së mirës. Përqafimi i Gandit, çon drejt fillimit të shpëtimit, çon drejt afrimit te qytetërimi. Kur lexon për herë të parë për Gandin, aty për aty të bën përshtypje jeta e tij. Ajo të çudit, sepse është e ndryshme prej jetës së kujtdo tjetri që mund të kesh lexuar. Por, kur thellohesh pak më shumë, kupton se jo vetëm jeta, por edhe mendimi, edhe fjala, edhe vepra e tij janë të mahnitshme dhe që të gjitha së bashku krijojnë një bashkësi në harmoni të pashembullt. Ato rrezatojnë dashuri, urtësi dhe virtyt, cilësi mbi të cilat duhet të ndërtohet jeta dhe shoqëria e së ardhmes, ajo jetë e ajo shoqëri për të cilat ëndërrojmë dhe lutemi të gjithë. Megjithatë, nuk është e lehtë. Për to kërkohen guxim dhe sakrifica. Fatkeqësisht, pakkush është i gatshëm për to.

Shkembejeni

Rreth autorit

parajsa

Parajsa.com është një portal i pavarur në gjuhën shqipe, i themeluar në vitin 2001, që ka depërtuar zemrat shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Çameri, Maqedoni, Mal të Zi, dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, për vite me rradhë, nëpërmjet një larmie temash të ndryshme nga të gjitha fushat e jetës.

Shkruani nje koment

loading...