Total: (49868)
Parajsa.com

Parajsa

... per nje jete me te mire

Bajrush Mjaku: Gjenerali i skenës shqiptare

0

Bajrush Mjaku: Gjenerali i skenës shqiptare

I lindur në vitin 1952, në fshatin Gjurgjedell, aktualisht e njohur si Kodra e Trimave, të komunës së Kaçanikut, një fshat i thellë malor, aktori Bajrush Mjaku, me fizikun e tij, të duket si një copë shkëmbi i shkëputur nga ato bjeshkë, për t’u bërë pastaj një gjeneral i skenës teatrore ndër ne. Duke tymosur cigare puro, ai flet me krenari për rrugën prej aktori. Me respekt flet për profesorët e tij të aktrimit, Faruk Begollin, Bekim Fehmiun, Ramiz Kelmendin dhe Faik Imerin.

“Ishte ndjenjë e veçantë tek na shoqëronte në Beograd aktori ynë më i madh, ish profesori im në shkollën e lartë të aktrimit në Prishtinë, Bekim Fehmiu. Edhe më e veçantë ishte ndjenja kur ai pas shfaqjes erdhi dhe na përgëzoi për realizimin e mirë që kishim bërë. Ai e pranoi se i kishim krijuar një ndjenjë krenarie që moti nuk e kishte përjetuar. Ai na tha se me këtë shfaqje e kishim nderuar atë dhe gjithë shqiptarët. Na tha se kishim bërë një shfaqje të denjë për çdo skenë të Evropës”, rrëfen aktori Mjaku, ndërsa i ka të freskëta përshtypjet e paraqitjes së tij si gjeneral në skenën e Beogradit. Shfaqja “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i punuar sipas romanit të Ismail Kadaresë, dramatizimin e të cilit e ka bërë Jeton Neziraj dhe në regji të Dino Mustafiqit nga Sarajeva, para pak kohësh u shfaq në “Teatrin Jugosllav të Dramës”, ku nga publiku u duartrokit gjatë. Mjaku, i entuziazmuar nga puna e regjisorit të njohur sarajevas, Dino Mustafiq, i cili në asnjë rast nuk mohon prejardhjen e tij shqiptare nga fshati Vrutok i Gostivarit të Maqedonisë, nuk ngurron që edhe në detaje ta komentojë këtë shfaqje, duke vlerësuar se gjeneralit të Kadaresë i kanë bërë një kontekstualizim të mrekullueshëm.

“Dino Mustafiq me pjesëmarrjen e tij në luftën e Bosnjës ka arritur deri në gradën e majorit. Duket kjo i ka mundësuar këtij artisti të madh të skenës që si regjisor ta ndërtojë metaforën më të mirë për luftën dhe atë ta shfaq mu në Beograd, prej nga nisën fushatat e përgjakshme. Publiku e pranoi mirë këtë metaforë dhe rreth pesë minuta na ka duartrokitur pa u ndalur”, tregon Mjaku, pa harruar të përmend faktin se edhe kritiku i njohur serb i teatrit, Jovan Qirillov, është shprehur në superlativ për këtë shfaqje. “Kjo ngjarje kulturore në Beograd dëshmon më së mirë se atë që mund ta bëjë kultura, nuk ka mundësi ta bëjë politika”, shprehet i bindur Mjaku, i cili si artist ka kohë që i ka kapërcyer barrierat gjuhësore, nacionale dhe gjeografike, madje duke interpretuar në gjuhën shqipe edhe në vendet arabe. Mjaku ka pasur rastin që të shfaqet nëpër shumë skena teatrore të botës, përfshirë këtu edhe skenën e teatrit të Mejerholdit në Moskë, ku është pritur shkëlqyeshëm me dramën “Babai” të Strindbergut. Skenat në Moskë dhe San Petersburg janë ëndërr e çdo aktori të teatrit, për të cilat Majku thotë se mund të përjetohen, por jo edhe të komentohen.

Janë të shumta rolet dhe shfaqjet që e kanë bërë të njohur këtë aktor nga skena e teatrit shqiptar të Shkupit, por sigurisht që roli i babait në dramën “Babai” të Strindbergut dhe ai i Poprishkinit në monodramën e Gogolit “Ditari i një të çmenduri”, në mënyrë të veçantë e kanë dëshmuar vlerën e tij si aktor, ndërsa nëpërmjet këtyre roleve edhe ka mbledhur shumë shpërblime si brenda vendit, rajonit, por edhe Evropës.

“Monodrama është forma më e vështirë e artit skenik. Aty je vetëm. Duhet të bësh të pamundurën të mundshme për ta pasur për vete publikun”, shprehet Mjaku, teksa tregon se ka shumë oferta nga teatro të ndryshme të botës për të luajtur në ndonjë monodramë, por që i ka refuzuar për faktin se ndjehet në vështirësi kur mendon se si do të mund ta tejkalonte Poprishkinin e Gogolit, për realizimin e mirë të të cilit e kanë përgëzuar emra të njohur të skenës teatrore botërore.

Duke ndier veten si një misionar i përhapjes së gjuhës skenike shqipe nëpër skenat e katër kontinenteve të botës, Bajrush Mjaku, aktor me 36 vjet përvojë, ndjehet shumë i dëshpëruar me atë që po ndodhë në skenat teatrore shqiptare. “Krizën në jetën teatrore tek ne e kanë shkaktuar fukarallëku dhe injoranca, ku qeveritë apo ministritë e kulturës asnjëherë nuk ndanë mjete financiare as përafërsisht sa i meriton teatri. Pastaj numri i madh i atyre që janë pajisur me diploma të aktrimit në për akademitë shtetërore e private në Prishtinë, Shkup, Tetovë dhe Tiranë si sasi e mund cilësinë. Nuk është bërë një seleksionim i duhur i të rinjve dhe të rejave për skenë dhe fatkeqësisht ata njerëz kanë mbetur pa bukë. Është dashur të mbahet llogari se kush e ka vendin në teatër e kush jo. Kjo gjë nuk ka ndodhur”, thotë me bindje të thellë aktori Mjaku. “Në këtë gjendje çfarë e kemi teatrin, duket që secili kërkon të jetë i parë në mëhallë të tij, pa llogaritur se ka diku një katund të madh ku mund të zhvillohet konkurrenca. Me keqardhje duhet ta them, por shumë nga kolegët e mi kënaqen me festivalet e mëhallëve që organizohen nëpër hapësirat shqiptare. Jeta jonë teatrore tash është mbytur nga festivalomania. Duket sikur kemi më shumë festivale se teatro. Kujtoni vetëm festivalin “Kosova Infest”, “Skupi Fest”, festivali i teatrit shqiptar në Dibër”, festivali i komedisë në Preshevë, festivali i aktrimit në Fier, festivali i teatrove në Ferizaj, festivali i komedisë në Korçë, festivali “Skampa” në Elbasan, festivali i Butrintit, etj. Kjo ka bërë që jeta jonë teatrore të karakterizohet me një fukarallëk të madh”, shprehet aktori Mjaku.

Mjaku nuk ngurron të komentojë edhe gjithë ato përfolje dhe akuza që iu bënë jurisë në festivalin e teatrove, të mbajtur muajin dhjetor në Ferizaj, e ku edhe vetë ishte njëri nga anëtarët e jurisë profesionale. “Nuk më shqetësojnë pakënaqësitë e atyre që nuk fituan. Nuk më kanë shqetësuar as sms-të që kam marrë nga të tillët, të cilët nuk kanë ngurruar të më quajnë pjesë të bandës kriminele të teatrit” apo “ish miku im”, i cili ne fakt kishte harruar apo nuk më kishte njohur mirë se unë si i tillë çfarë jam, çmime për shkak të miqësisë nuk ndaj. Çmimi meritohet”.

I pyetur se sa është i dukshëm organizimi mafioz në sferën e kulturës, Mjaku është përgjigjur: “Nuk njoh mafi kulturore, por nuk mund të them se nuk ka klane, të cilat janë të formuara në baza shoqërore dhe të interesit, madje edhe në baza të mëhallës. Unë nuk njoh banditë dhe kriminelë të teatrit, aq më pak të jem vetë i tillë, siç pandeh ai miku imi nëpërmjet sms-ve, të cilit as nuk u përpoqa t’i identifikoj nëpërmjet numrit të celularit. or unë do të vazhdoj ta quaj mik përkundër kësaj dhe pa kurrfarë interesi, të paktën edhe sikur nesër të mos më ndaj çmim në ndonjë festival teatri që organizohet në mëhallën e tij. Nëse më gjen aty…” shprehet Mjaku për këto sjellje dhe për këtë klimë që kemi në jetën teatrore.

Ai ka besim se në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Prishtinës do ta realizojë projektin në 2010, për të cilin edhe ka fituar bursën “International Ibsen Scholarship 2009”, që e ndan qeveria norvegjeze për bashkëpunim me “Ibsen Award”.

Shkembejeni

Rreth autorit

parajsa

Parajsa.com është një portal i pavarur në gjuhën shqipe, i themeluar në vitin 2001, që ka depërtuar zemrat shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Çameri, Maqedoni, Mal të Zi, dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, për vite me rradhë, nëpërmjet një larmie temash të ndryshme nga të gjitha fushat e jetës.

Shkruani nje koment