Kreu | Kulture | Skënder Sallaku: Pengu i kllounit të parë shqiptar, një godinë për cirkun

Skënder Sallaku: Pengu i kllounit të parë shqiptar, një godinë për cirkun

Parajsa
Skënder Sallaku Skënder Sallaku

Skënder Sallaku "Artist i Popullit", njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, ish-kampion kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh e parodish sot kujtohet nga të gjithë për interpretimin e tij brilant në cirk dhe në estradë. Kllouni i parë i cirkut shqiptar ka lindur në Tiranë më 25 janar 1935. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike "Vojo Kushi" dhe ka kryer një kualifikim një vjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Fillimisht Skënderi filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut te papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.

"Artisti i Popullit" rrëfen jetën e tij artistike me cirkun dhe estradën.

Skënder Sallaku "Artist i Popullit", njëri nga aktorët tanë më të mirë të humorit, ish-kampion kombëtar në mundjen klasike, autor skeçesh e parodish sot kujtohet nga të gjithë për interpretimin e tij brilant në cirk dhe në estradë. Kllouni i parë i cirkut shqiptar ka lindur në Tiranë më 25 janar 1935. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike "Vojo Kushi" dhe ka kryer një kualifikim një vjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Fillimisht Skënderi filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut te papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.

Gjatë karrierës së tij artistike për një gjysmë shekulli, është folur dhe shkruar nga shumë njerëz, gazetarë, autorë,shkrimtarë e kolegë. Humori dhe cirku është jeta e tij. Skënderi është përfaqësuesi më i denjë i kllounatës në cirk dhe i komedisë shqiptare. Në këtë përvjetor të cirkut shqiptar, gjatë kësaj interviste artisti Sallaku tregon jetën e tij artistike, cili ka penë pengu i karrierës së tij dhe çfarë emocionesh ka marrë nga cirku dhe estrada. Për "Artistin e Popullit" Skënder Sallaku nuk është e drejtë që sot nuk ekziston më trupa  e Estradës së Tiranës, për të cilën ai pohon se ka qenë një trupë me artistë profesionistë, të cilët vlerësoheshin nga publiku. 

-Pas kaq vitesh si ndiheni sot kur e  kujtoni cirkun?
Tani unë kam dhe shumë emocione dhe kam dhe shumë vlerësime për trupën e cirkut. Unë kam punuar dhe në cirk dhe në Estradën e Tiranës, pra në kujtimet e mia unë mbaj mend edhe estradën edhe cirkun. Unë them se ato të dyja kanë gjëra të bukura, por dhe shumë emocione. Spektatori e kërkonte, turnetë që bënin të gjithë në të gjithë vendin, por tani janë ndërruar dhe brezat. Ka ardhur një brezi i ri që po e vë në piedestal punën tonë edhe aftësitë e tyre profesionale.

-Jeni vlerësuar për kontributin e çmuar që keni dhënë në cirk dhe në estradë, por a keni ndonjë peng gjatë karrierës suaj artistike?
Ka qenë viti1971 madje në vitin 1960 ka qenë premiera e parë për mua me cirkun, e cila pati shumë sukses, ku iu bë një jehonë madhe në shtyp. Ajo premierë pati shumë vlerësime, por tani artistët kanë dhe më shumë kushte se sa kishim ne në atë kohë, pasi ne patëm kushte më të vështira në kohën kur ishim artistë cirku. Mua më vjen keq që nuk u realizua një ndërtesë për cirkun e Tiranës, kjo ka qenë dhe pengu i karrierës sime.

-Si i kujtoni fillimet tuaja në cirk?
Në fillim unë kam qenë me estradën dhe në atë kohë ishte drejtuesi Telat Agolli "Artist i Popullit", dhe unë isha  kllouni i parë i cirkut shqiptar. Unë kam pasur një natyrë tjetër dhe isha dhe në numrat e akrobatëve, hyja tek xhonglerët, shkolla e qenve etj. Kishte Tahir Bahçova një pjesë dhe unë isha atje duke interpretuar dhe kishte shumë humor. Kllouni ka detyrë që të zbusë gjërat, pasi ai ka një humor të veçantë. Ne kemi filluar së bashku me Telat Agollin pa u bërë akoma cirku. Ne jepnim numra cirku në estradë, pasi ne kemi qenë bashkë me trupën e estradës dhe në vitin 1972 u bë dhe ndarja e cirkut nga estrada, kështu dhe unë mbeta nga estrada. Unë u shkëputa se ne kishim një drejtori, por unë kërkesën e kisha më shumë tek estrada dhe kështu u ndava dhe nga gruaja (qesh).

-Pas vitit 90 cirku shqiptar erdhi duke u zbehur. Pse ndodhi kjo sipas jush?
Për këtë ndikoi shumë dhe hapja e kufijve, pasi shumë artistë të njohur u larguan jashtë shtetit. Ikën shumë akrobatë, ka qenë një klasë shumë e mirë e cirkut. Ishim një grup të rinjsh, por megjithatë pati një rënie, por tani kanë filluar të organizohen shumë mirë dhe po u ecën gjithçka shumë mirë në punën e tyre.

-Çfarë mendoni sot për cirkun shqiptar?
Premierat pavarësisht se kanë të meta, ato kanë dhe një lloj ecje përpara, kanë një zhvillim. Veteranët e cirkut janë po veteranë, por qëllimi është tek perspektiva, tek të rinjtë, të cilët kanë talent dhe ma merr mendja që do të ecin shumë përpara në jetë, duke sjellë një program të larmishëm për publikun, i cili e do aq shumë dhe e vlerëson cirkun.

-Sa e vështirë ka qenë për ju që të prezantonit para publikut atë që ju vërtetë donit, pasi ju thatë që keni punuar në kushte të vështira?
 Publiku kishte kërkesa, dhe ne donim që ti realizonim të gjitha  ato që ne donim. Dua tju them një episod shumë të bukur kur ne ishim në një festë. Unë po jepja shfaqje premierë të cirkut dhe po ashtu kisha premierë me estradën. Në orën 5 po fillonte premiera në Pallatin e Sportit dhe në estradë ishte në orën 7. Unë vija në shfaqje dhe më kujtohet që spektatorët tek "Peza" thoshin: çfarë ka punuar Skënderi....., ndërsa të tjerë që i thoshin: se nuk ka mundësi, sepse ai ka dhënë shfaqje tek ne, por unë isha tek të dyja shfaqjet (qesh).

-Çfarë keni provuar me kllounin?
Unë kisha plastikën dhe kam pasur dhe një mimikë e zhdërvjelltësi dhe dashuria për kllounin ka qenë gjithmonë për mua, por unë dhe humorin gjithmonë e kam pasur qejf.

-Keni qenë kllouni i parë shqiptar, e konsideroni këtë personazh si ai që ju hapi rrugën drejt një karriere tjetër?
Kjo për mua ka qenë shumë pozitive, por mua më bëhet qejfi se këtu ka një klloun shumë të mirë që tani është Met Selimi, i cili ka lozur rol të shkëlqyeshëm, por mendoj se kllouni duhet të hyjë dhe në numrat akrobatikë që japin në shfaqjet e  cirkut, sepse këto e kënaqin dhe zbusin dhe më shumë. Krijohet një hilaritet dhe një simpati në sallë. Por po e them sërish që i vetmi peng i imi si klloun ka qenë mungesa e një ndërtese cirku. E gjithë bota ka ndërtesa për cirkun, po të shkosh në Moskë apo Kinë kanë ndërtesa shumë të mirë. Unë kam ndenjur disa kohë atje dhe për mua ishte një eksperiencë shumë e mirë. Ne ishim tetë vetë, ku veç meje ishte dhe Vitorja, Telat Agolli, Bujar Bodinaku etj, kemi qenë të parët që sollëm eksperiencën tonë. Ishin vitet 60 kur cirku i Tiranës pati një zhvillim shumë të madh. Ne duke marrë eksperiencën kineze, punuam me ata dhe e dhamë eksperiencën tonë këtu, e cila shërbeu aq shumë në cirk.

-Ju vjen keq që nuk është më sot Estrada e Tiranës?
Më vjen shumë keq që nuk ekziston më Estrada e Tiranës, më vjen po ashtu shumë keq që publiku e do por ajo nuk është më. Estrada është dhe në rrethe si në Peshkopi, Kukës etj, dhe të mendosh që nuk kemi estradë në Tiranë, kjo nuk është e drejtë. Këtu në Estradën e Tiranës kanë kaluar artistë shumë të mëdhenj, të cilët janë bërë shumë të dashur për publikun, por tashmë asgjë nuk ka mbetur nga ajo trupë, e cila kërkohej aq shumë nga publiku. Jo vetëm që kanë qenë artistë të njohur si Con Zyberi, Enver Dauti, Melpomeni Çobani si dhe shumë artistë të tjerë, por pa harruar këtu dhe shumë këngëtarë të njohur që pëlqeheshin nga publiku. Mos harrojmë se këtu kanë dalë emra të njohur si Anita Take, Vaçe Zela etj, por dhe shumë këngëtarë të operës që jepini shfaqje në estradë si Gaqo Çako, Ibrahim Tukiçi, Avni Mula etj. Ne kishim shumë kënaqësi kur jepnim shfaqje në atë kohë dhe prandaj na vjen shumë keq që sot nuk ka mbetur asgjë. Por nëse si klloun kam pasur peng mungesën e një ndërtese cirku, sa i takon estradës unë kam peng mbylljen e saj. Më vjen vërtetë shumë keq.

-Kur bashkoheni me artistët e tjerë në evenimente të ndryshme, çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Çdo gjë kujtohet me emocione, por kam dëgjuar që edhe mund të ketë ndonjë projekt për tu realizuar sërish një trupë me estradën e Tiranës dhe shpresoj që ta shikoj sërish.

-Në cirk ju jeni njohur dhe me bashkëshorten tuaj ?
Vitore ka qenë para meje në cirk, pasi ajo ka filluar që në vitin 1952 dhe ka dhënë shfaqje që në moshën 10 vjeçe me mjeshtrin Ali Xhixha. Unë kam filluar në vitin 1956, më pas ajo iku në Estradën e Ushtarit dhe më pas sërish u kthye këtu. Ne u bashkuam në vitin 1957. Pas kësaj në atë kohë ne u fejuam dhe u martuam (qesh).

-Një karrierë e mbushur me çmime, si ndiheni sot pas kaq shumë vitesh?
Në cirk jam bërë artist, jam nderuar me çmime, "Artist i Merituar", "Artist i Popullit", "Mirënjohja e qytetit", "Urdhri i punës i klasit të dytë" etj. Nuk kam asnjë peng nga vlerësimet, pasi i kam marrë të gjitha çmimet. Së bashku me bashkëshorten time jemi vlerësuar për atë që ne kemi dhënë tek publiku. Unë kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë dhe asnjë prej tyre nuk donte të ishte në cirk. Ata e dinin se ishte një ngarkesë shuam e madhe dhe kishim shumë turne. Ata do të vazhdonin shkollën dhe më vjen keq, e kam dhe pishman që asnjë nga dy fëmijët e mi nuk u bë artist cirku. Por ata më kanë dhënë një kënaqësi shumë të madhe shpirtërore, pasi unë kam dy mbesa dhe një nip.

Cfare mendimi keni per kete artikull, ju pelqen apo jo?

Subscribe to comments feed Komente: 0 postime

Ju duhet te identifikoheni per te postuar komente!


Rrjete Sociale

Google+

Facebook
Autori
Kendi i Reklamave
Vleresoni kete artikull
5.00
Publikoni artikullin
Kendi i Reklamave