Kreu | Kulture | Nuk do te behesha kurre politikan - Ne skene jam i lire, jam Roland Trebicka!

Nuk do te behesha kurre politikan - Ne skene jam i lire, jam Roland Trebicka!

Roland Trebicka Roland Trebicka

Eshte e veshtire ta gjesh nje moment larg dyerve te Teatrit Kombetar. Edhe brenda tyre, cdo minute eshte e shenjte. Prapa deres se provave, ku nje dore e kujdesshme ka shkruar Mos trokit, ketu ka prova, degjohet zeri kumbues i Roland Trebickes, Artistit te Merituar te Teatrit Shqiptar. E shkeputem nje cast, per te mesuar me teper rreth dy komedive per te cilat eshte duke punuar, Karnavalet e Korces, me regjizor Dhimiter Pecanin dhe Me mire neser se pasneser, te regjizorit Milto Kutali. Ne te vertete nuk eshte shume i lire dhe me miresjellje pohon se nuk ka kohe as ti ofrosh nje kafe.

F let Artisti i Merituar, i cili në mëngjes vesh rrobat e Nikollaq Jorganxhiut, mbasdite shndërrohet në një deputet gënjeshtar.

Është e vështirë ta gjesh një moment larg dyerve të Teatrit Kombëtar. Edhe brenda tyre, çdo minutë është e shenjtë. Prapa derës së provave, ku një dorë e kujdesshme ka shkruar Mos trokit, këtu ka prova, dëgjohet zëri kumbues i Roland Trebickës, Artistit të Merituar të Teatrit Shqiptar. E shkëputëm një çast, për të mësuar më tepër rreth dy komedive për të cilat është duke punuar, Karnavalet e Korçës, me regjizor Dhimitër Pecanin dhe Më mirë nesër se pasnesër, të regjizorit Milto Kutali. Në të vërtetë nuk është shumë i lirë dhe me mirësjellje pohon se nuk ka kohë as ti ofrosh një kafe. Ndërsa paraditet i kalon me provat për Karnavalet e Korçës, ku një nga ëndrrat e tij të hershme ka qenë roli i Nikollaqit, mbasditeve në skenën e Teatrit Kombëtar ai luan një tjetër rol, atë të deputetit gënjeshtar. Komedia Karnavalet e Korçës pritet të vihet në skenë në datën 18 të këtij muaji, ndërsa Më mirë nesër se pasnesër ishte shfaqja që hapi edhe siparin e sezonit në Teatrin Kombëtar.

- Ishte një dëshirë e juaja për ti risjellë publikut Karnavalet e Korçës
- Jo, nuk mund të them që ishte krejt ideja ime. Edhe unë si aktorët e tjerë kam pasur dëshirë të luaj disa role në karrierën time dhe kam patur një fat të madh të më realizoheshin disa prej tyre, si për shembull, roli im te Nata e 12-të, te Revizori i Gogolit, pavarësisht se është realizuar me vonesë dhe ishte një përshtatje. Gjithashtu kam dashur të luaj edhe Harpagonin e Molierit, që nuk më është dhënë akoma mundësia, shpresoj në të ardhmen, si dhe Nikollaqin. Natyrisht, kam luajtur te Karnavalet e Korçës, në fillim hamallin dhe karnavalin, më pas Lonin, por dëshira ime ishte të luaja Nikollaq Jorganxhiun. Kjo ka qenë një vepër e aprovuar nga Këshilli Artistik. Para se të merrej aprovimi, kam biseduar me mikun tim, regjizorin Dhimitër Pecani, të cilin e takova pas dhjetë vjetësh dhe ai u entuziazmua, u ngacmua nga kjo, e paraqiti para këshillit dhe ja ku jemi duke bërë provat. Mendoj që një vepër siç është Karnavalet e Korçës, e cila i përket fondit të artë dhe është një nga komeditë më brilante që kemi pasur, të rivihet në Teatrin Kombëtar është një gjë e mrekullueshme. Kështu që në radhë të parë falenderoj Dhimitër Pecanin që mori guximin për ta rivënë në skenë dhe pati kurajon të ma japë mua këtë rol. Them kurajon sepse kjo komedi është vënë në skenë para shumë vjetësh, 40 vjetësh dhe e kanë luajtur aktorë të shkëlqyer, si një nga aktorët më fantastikë të komedisë Viktor Gjoka, në teatër dhe ekran Ilia Shyti, në kinekomedi Mirush Kabashi. Unë nuk kam hyrë të bëj garë, apo të konkurroj, kam hyrë me dëshirën për të interpretuar Nikollaqin dhe të tregoj veten, ta justifikoj atë dhe besimin që regjizori kishte te unë.

- Regjizori Dhimitër Pecani ka premtuar që në këtë rivënie në skenë do të bëhen ndryshime. Si do të jetë Nikollaqi
- Kjo është pjesë e platformës regjizoriale. Komedia luhet në ditët e sotme, ndërsa mentaliteti i njerëzve është po ai i viteve për të cilat flet Spiro Çomora dhe është ajo që shohim ne sot. Njerëzit kanë kravata dhe lekë nëpër xhepa, por kanë një mentalitet të vjetëruar. Dhe kjo është një e vërtetë e madhe, derisa ndodhin gjëra të çuditshme dhe absurde, kjo tregon se për këta njerëz nuk kanë rëndësi paratë, veshja, posti, vendi ku punon, por rëndësi ka mentaliteti. Këtu qëndron edhe e veçanta e rivënies së kësaj vepre në ditët e sotme. Njerëzit nuk do të shohin një veshje klasike të atyre viteve, do të shohin një veshje të sotme, do të shohin një lluks në dekor, në të gjitha, por në mendësi, në mentalitet janë po ata njerëz të viteve 30.
- Ndjeheni i lodhur
- Në të vërtetë duhet të them se më ka qëlluar në një situatë të vështirë, pasi edhe roli i Nikollaqit është sa i bukur aq edhe i vështirë për tu interpretuar dhe nga ana tjetër të dyja komeditë, Më mirë nesër se pasnesër dhe Karnavalet e Korçës po vihen paralelisht, pra paradite me njërin rol dhe mbasdite përsëri në skenë me një rol tjetër. Megjithatë kjo është puna e artistit.

- Jeni i njëjtë në skenë dhe në jetë Roland Trebicka
- I njëjtë jam në atë aspekt që edhe në jetë edhe në skenë jam thjesht Roland Trebicka.
- Do të qeshim edhe me Nikollaqin e ndryshuar, ashtu si edhe me deputetin
- Unë nuk nisem kurrë me mendimin se një shfaqje ka sukses vetëm kur qeshet, veçanërisht kur spektatori kënaqet. Se mund të qeshësh vetëm ato dy orë, dhe sa të dalësh nga dera harrohet. Sigurisht që komedia e synon këtë, por nuk është gjithçka. Ajo që bëjmë ne është që edhe pasi kanë dalë nga salla e teatrit, njerëzit të mundohen të reflektojnë, të diskutojnë mbi atë që kanë parë.
- Ndërsa në komedinë Më mirë nesër se pasnesër, a ka ndonjë përngjasje mes rolit tuaj dhe fushatës aktuale elektorale që sapo lamë pas
- Ndoshta kjo komedi nuk ishte në programin e drejtorisë për tu vënë këtë shfaqje, por duke e parë që kjo vepër e shqipëruar dhe e përshtatur bukur nuk përkon jo vetëm për momentin për fushatën, por për jetën politike të 13 vjetëve, është më përgjithësuese nuk është vetëm për momentin, atëherë u pa e arsyeshme nga Drejtoria e Teatrit Kombëtar që ta vinte në skenë. Unë jam përpjekur që me këtë deputet të mos i vë gishtin x apo y, pak a shumë me veprimet e tij, me tërë veprimtarinë e tij gjoja politike, me këtë pseudoprogresist, pseudodemokrat dhe një pseudodeputet për mua, jam përpjekur ta përgjithësoj, që secilin nga këta politikanë, deputetë, ministra pavarësisht nga ngjyra partiake, ti ngacmoj me interpretimin tim. Shumë nga ata jam i sigurtë që kanë parë plot gjëra të vetes së tyre tek ai personazh, por nuk e di se sa e kanë marrë guximin të vijnë në sallë.

- Politika dhe politikanët tanë, si i shihni ju me syrin e një aktori
- Natyrisht, unë kam mendimin tim në lidhje me politikën e sotme dhe politikanët tanë, të cilin e transmetoj edhe në skenë. Unë do të ftoja të gjithë lexuesit që të shohin shfaqen dhe aty do ta gjejnë përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe do të mund të shikojnë nëpërmjet lojës në skenë cili është mendimi im për politikën shqiptare.
- Po tu jepej mundësia do ti përkushtoheshit politikës
- Jo, në asnjë mënyrë, sepse do të isha Roland Trebicka, një politikan i mbyllur në guackën time dhe kishte shumë rrezik ti ngjiste vetëm një moment rolit të këtij deputeti që luaj dhe që 13 vjet do të isha andej nga fundi dhe nuk do të flisja asnjë fjalë. Kështu që është më mirë të ligjëroj dy orë në skenë, jam më i lirë.
- Ngjani në ndonjë pikë me personazhin që interpretoni
- Ngjaj, siç ngjasim ne të gjithë shqiptarët, sepse ne të gjithë ngjajmë nga pak, pavarësisht se mundohemi të kritikojmë politikanët edhe ne kemi diçka të përbashkët me ta. Edhe ata që veprojmë kështu kanë gjetur terren, na kanë gjetur dhe ne.
- Pse pranuat ta interpretoni këtë rol
- Pranova, sepse më pëlqejnë këto lloj veprash, që janë aktuale, e shkruar dhe e interpretuar në kornizën e komedisë, që godet me anën e humorit, pra që e ka shënjestrën diku dhe nuk është e paadresuar. Më pëlqen, sepse njerëzit kanë dëshirë të flasin për politikë dhe ta kritikojnë politikën, edhe atëherë kur ka momente që gjërat shkojnë mirë. Ne në përgjithësi jemi mësuar të kritikojmë. E dyta, më pëlqen që spektatori nëpërmjet rolit tim shikon diçka që e shikon në televizion, e lexon nëpër gazeta, kurse këtu e shikon më konkretisht, më direkt, natyrisht që të parët është ngritur në art dhe sigurisht ndoshta edhe më e zmadhuar sepse është komedi.

- Cilit prej politikanëve shqiptarë mendoni se i vë gishtin kjo vepër
- Aty ka pak nga të gjithë. Nuk mund ti vë gishtin ndonjërit. Nëse vepra do të ishte e fokusuar te një politikan nuk do të kishim arritur aty ku kemi vajtur, sepse ajo nuk ka interes të godasë vetëm një. Nëse do të ishte kështu, edhe unë do të isha munduar ti përshtatesha edhe me mimikën, plastikën, që ti përngjisja ndonjërit.
- Cili është roli i zëdhënësit në këtë komedi
- Ai është strumbullari që vërtit gjithë skenën.
- Po më i keq, kush është, zëdhënësi apo deputeti
- Më i keq është deputeti, që kërkon gënjeshtarin. Gënjeshtari mund të gënjejë sot këtu, nesër atje, për mua më i keq është ai që kërkon një gënjeshtar, aq më tepër që ka pozitën dhe pushtetin.
- Të flasim pak për ju, sa kohë i kushtoni familjes
- Edhe pse jam i ngarkuar gjithmonë i kushtoj familjes kohën e nevojshme. Puna e një aktori kjo është në mëngjes në prova dhe mbasdite në skenë. Por sigurisht që më del koha ti përkushtohem edhe familjes.
- Jeni i pasur
- Sa gjithë artistët e tjerë. Ndërsa shpirtërisht kam një pasuri të madhe, për faktim që kam këtë lloj profesioni. Është pasuri sepse nëse Presidenti është President për 5 vjet, Kryeministri për disa vjet të tjera, artisti është i pasur sepse bëhet një natë Kryeministër, një natë President, një natë hajdut dhe një natë bëhet shumë i ndershëm, çdo natë bëhet dhe intrepreton një rol tjetër. Kjo është pasuria ime.

Cfare mendimi keni per kete artikull, ju pelqen apo jo?

Subscribe to comments feed Komente: 0 postime

Ju duhet te identifikoheni per te postuar komente!


Rrjete Sociale

Google+

Facebook
Kendi i Reklamave
Vleresoni kete artikull
0
Publikoni artikullin
Kendi i Reklamave