Total: (103,821)
Parajsa.com

Parajsa

... per nje jete me te mire

Tekstet e historise ne arsimin e mesem shqiptar

0

Tekstet e historise ne arsimin e mesem shqiptar  Tekstet e historise ne arsimin e mesem shqiptar tekstet e historise arsimi mesem 2

Tekstet e historisë dhe nxënësit. Vështrim mbi gjendjen e teksteve në realitetin e ri.

-Hyrje
Në shkrimin e mëposhtëm do të shqyrtoj sipas këndvështrimit tim disa nga problemet më të dukshme të teksteve të profilizuara në sistemin tonë arsimor. Kështu do të ndalem në disa probleme themelore si nga ana shkencore ashtu dhe nga ana e ngarkesës dhe e lehtësive të domosdoshme në tekstet tona për të futur tek nxënësit një të mësuar efektiv dhe racional nisur dhe nga dy elementë të rinj që po dalin dukshëm në arsimin shqiptar:
1. Matura shtetërore dhe preferencat e fakulteteve treguan se tashmë është koha që të kthejmë kokën dhe nga shkencat humane, si të vetmet që mund të formojnë realisht qytetarin e ardhshëm aktiv dhe jo teknicienin e verbër dhe të përqëndruar tek rregullat fikse, shpesh përtej çdo dobie qytetare.
2. Përshtatia e nxënësve me ngarkesën e re të Universiteteve sipas Kartës së Bolonjës.
Një tjetër problem me të cilin duhet medoemos të përballemi ne është dhe fakti se në shumicën e individëve është krijuar bindja se historinë e bëjnë fituesit dhe për pasojë ajo nuk paraqet asnjëherë realitetin. Mëposhtë do të shohim se ende ne nuk jemi në gjendje të njohim dhe të kuptojmë elementë të historisë së parë ndryshe nga nxënësit.

1. Cilët janë nxënësit tanë
Në pjesën më të madhe nxënësit tanë janë të një niveli mediokër të përgatitjes në shkencat shoqërore dhe humane. Një fakt i tillë shpjegohet me një sërë faktorësh:
a. Pjesa më e madhe e prindërve kanë filluar të ngarkojnë fëmijët e tyre me barra të stërmëdha kursesh në lëndët e ashtuquajtura ekzakte apo me kurse të pafundë në gjuhë të huaja. Ata, prindërit, shqetësohen më shumë kur fëmijët e tyre vlerësohen me nota të ulta në lëndët e Historisë dhe të tjera të grupit shoqëror jo për faktin se fëmijët e tyre nuk janë përgatitur në lartësinë e duhur, por për turpin që duhet tu vijë fëmijëve të tyre të paaftë të mësojnë përmendësh qoftë dhe dy data të mësimit të Historisë. Fatkeqësisht një qëndrim në përputhje me këtë ide po vazhdojnë të mbajnë dhe mësues, të cilët nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur formimit të plotë të nxënësve por vetëm të ashtuquajturës përgatitje shkencore.
b. Pjesa më e madhe e përgatitjes së lëndëve shoqërore bazohet në një mënyrë arkaike të të mësuarit. Që në fillore fëmijëve u kërkohet të mësojnë përmendësh pjesë të tëra, të cilat nuk kanë asnjë lloj produktiviteti. Fatkeqësisht një gjë e tillë vazhdon të aplikohet edhe në ciklin e lartë të shkollës 8-vjeçare. Izolimi i mendimt dhe i aftësive analizuese të fëmijëve dhe kthimi i tyre në përsëritës të thjeshtë vjen si pasojë e faktit se ne nuk i japim faktin dhe ti kërkojmë atij, nxënësit, të nxjerrë përfundime dhe ti argumentojë ato. Ka më shumë se dy vjet që është publikuar një manual, i cili jep dhe transmeton qartë se çfarë duhet të jetë i aftë të arrijë nxënësi në fund të shkollës 8-vjeçare për të marrë një vlerësim, aktualisht të themi se ky material po gjen zbatim është tepër. Nxënësit që vinë në shkollën e mesme, po të vlerësohen në bazë të këtij dokumenti, janë të nivelit mesatar, por kanë në dëftesat e tyre nota 9-10.
c. Mungesa e mundësisë (dhe dëshirës) për të marrë informacion të ndryshëm nga ai që përcjell teksti etj
d. Një tjetër pretekste është ai se, në shkollën tonë nxënësit vijnë vetëm për të marrë një diplomë maturie.
Një ndër ankesat më të hasura është se nxënësit e shkollës sonë nuk kanë nivelin e duhur si dhe motivimin e duhur. Po të jemi realistë atëherë duhet të pranojmë se po punojmë me nxënës të nivelit të ulët por jo vetëm ne. Po të krahasojmë aftësitë dhe arritjet e nxënësve tanë me ata të shkollave të tjera të qytetit do të vejmë re se ndryshimi i arritjeve të tyre në konkurset e shkollave të larta do të shohim se jo vetëm kemi rezultate të krahasueshme por janë në të njëjtin nivel. Të njëjtat mangësi vihen re tek të gjithë nxënësit sidomos kur diskutohet rreth:
1. Identifikimit të figurave historike
2. Përcaktimi i lidhjeve shkak-pasojë
3. Rajonalizimi i saktë i rajoneve gjeografike ku u zhvillua ngjarja historike etj.
Të njëjtat mangësi janë të dukshme edhe kur krahasohemi dhe me shkolla, të cilat kanë kontigjente të ngjashme me shkollën tonë.

2. Çfarë synojmë të edukojmë në lëndën e Historisë Lënda e historisë është një ndër lëndët më të hershme të aplikuara në programet mësimore. Sipas peiudhës historike, kjo shkencë ka ndryshuar shpesh formë dhe përmbajtie. Në shumicën e rasteve Historia ka shërbyer si një program më vete dhe për më tepër është një ndër pikat e referimit të ndryshimeve sociale. Në Romën e lashtë, detyra e historisë ishte të edukonte tek brezi i ri se përtej interesave personale ekziston një realitet më hyjnor dhe më i rëndësishëm, Roma. Jo më kot pjesa më e madhe e Historisë së Romës është e mbështjellë në një tis tejet mistik. Lindja e Perandorisë solli me vete një rol të ri të historisë; Historia ishte Pangjerika e Perandorëve që vetë ata linin pas. Lindja e krishtërimit ndryshoi dukshëm destinacionin tashmë historia duhej të lëvdonte veprën e Kishës dhe të martirëve të saj. Mesjeta dhe anakia feudale bënë përsëri një hap mbrapa tek pangjerikat, kronikat dhe jetëshkrimet e lordëve, peshkopëve, princërve, mbretërve dhe natyrisht të Papëve. Shek.XVIII-XIX solli ndryshime të dukshme në mësimdhënien e Historisë duke hedhur idenë e panhistoricizmit, i cili ishte një formë e integrimit ndërlëndor të kësaj periudhe. Lindja dhe fuqizimi dukshëm i Nacionalizmit dhe e shtetit Kombëtar do të ishte një tjetë kthesë në historinë humane. Tashmë theksi vihej tek origjina e kombit roli i tij në historinë botërore etj. Fundi i shek.XX ishte dhe konfrontimi i tendencave të historisë globale duke vënë përballë kulturës dhe traditës nacionale përballë ayre planetare dhe fatalizmin përballë analizës së ftohtë. Synimi i Historiografisë së sotmëe është të përcjellë vlerat më të mira të njerëzimit, trashëgimisë së përbashkët të të gjithë qytetërimeve, dhënien e shembujve të qeverisjes së mirë dhe edukimin me vlerat e një qytetari të denjë të një shoqërie demokratike. Ky është një ndër përcaktimet që rishtaz është shfaqur në konceptimin e mësimdhënies dhe të edukimit në qarqet studiuese të pedagogjisë së historisë. Natyrisht, të gjithë këtë proçes duhet ta ppërshkojë dhe përcjellia e traditave më të mira nacionale dhe ngritja e shoqërisë në një nivel më të lartë. Duke patur parasysh gabimet e të tjerëve si dhe ato që kemi kryer vetë ne duke i krahasuar dhe duke kërkuar përgjithësitë dhe duke u ruajtur nga kryerja e të njëjtit gabim disa herë. Ndryshe nga lëndë të tjera historia përcjell vetëm trashgiminë humane dhe jo të dhëna të cilat nuk janë veçse teori (në shumicën e rasteve të pavërtetuara). Një gjë është e vërtetuar qartë:
1. Të gjitha vendet e pazhvillara nga pikëpamja kulturore i tuten historisë së tyre dhe pranojnë si më superiore atë botërore.
2. Të gjithë vendet diktatoriale nxisin një mbivlerësim të historisë së tyre kombëtare
Shumë prej nesh natyrisht nuk dëshiron ta shohë vendin e tij të radhitur mes të parëve dhe aq më pak mes të dutëve. Por cili do të qe ekuilibri i saktë mes dy tendencave – Nuk mund të jepen receta apo udhëzime të prera, por mund të themi se:
A. Nuk është në interesat kombëtare dhe kushtetuese të R.Sh. zvogëlimi vazhdimisht i orëve të historisë kombëtare. Një kujdes të veçantë i duhet kushtuar historisë antike se kjo është pika ku sulmohet më shpesh identiteti jonë kombëtar.
B. Duhet të ndryshojë në mënyrë të prerë vartësia nga përkthimi idobët i teksteve shkollorë të huaj, të cilët shpesh për sa i përket Historisë të Ballkanit kanë qëndrime të tejkaluara tashmë dhe për më tepër kur dihet se historiografë si Scheville janë tejet pranë qarqeve panheleniste. Nuk ka asnjë justifikim, ta zemë fakti, kur në historinë e vitit të parë që fushata e Pirros së Epirit në Apenine të kapërxehet me dy rreshta të cilat, fatkeqësisht japin imazhin e një ngjarie kalimtare për hiçmosgjë.

3. Ç duhet të ishte parashikuar në formulimin e teksteve Në të gjithë fjalimet e mbajtura në seminare të ndryshme të mbajtura është vënë theksi tek vlerësimi bazuar në vlerësimet bazuar në Standartet e Arritjes. Natyrisht nuk ka më mirë se të bazojmë punën tonë në elementë të matshëm, unikë dhe për më tepër të pakundërshtueshëm nga pikëpamjet e njërit apo tjetrit. Nëse do të përcaktojmë qartë dy parime:
1. Çfarë duhet të dinë nxënësit tanë për paraardhësit e tyre
2. Cilat mendohet të jenë tipare e zhvillimit social-kulturor të shoqërisë shqiptare në të ardhmen e afërt dhe të largët. Atehere do të kemi më të thjeshtë të dallojmë më qartë çfarë duhet të njohin adoleshentët. Kështu nëse duhet të përcaktojmë çfarë duhet të njohin nxënësit tanë për tu vlerësuar në një nivel të caktuar, duhet më parë të njihen interesat e zhvilimit të shoqërisë shqiptare, natyrisht këto janë të përcaktuara qartë në dokumentat kryesorë të Akademisë së Shkencave (për të mos përmendur Kushtetutën e Shqipërisë). Duke ditur interesat kombëtare ne duhet të përcaktojmë njohuritë e domosdoshme për vlerësimin në një nivel të caktuar.

Ç kuptim ka që ne të rrezikojmë realizimin e disa parametrave të caktuar, me një rëndësi relativisht të madhe, si kundërpeshë të paraqitjes në një formë relativisht të re në emër të reformave shpesh të papeshuara mirë. Ne nuk kemi arritje të mira në këtë formë pasi nuk bëjmë tekste të bazuar në synime strategjike të shoqërisë por mundohemi të përshtasim synimet e shoqërisë me njohuritë që përcjellim. Përse për shembull vihen re kaq probleme me tekstin e historisë A mos vallë kemi kaq shumë mësues që nuk e njohin mirë historinë dhe shyqyr që janë nja një a dy autorë që tregojnë udhën e duhur Këtyre pyetjeve nuk u jap dot përgjigje pa u njohur dhe një anë tjetër e medaljes përse në urdhërin nr: 445 dt. 21.11.2005 na kërkohet të thjeshtojmë, eliminojmë shmangim dhe rishikojmë jo pak por 24 çështje të ndryshme, të cilat, gjer më tani janë parë vetëm në këndvështrimin e ngarkesës dhe jo në përmbajtje.

4. Anët pozititve të tekstit të Historisë.
Natyrisht një punë përveç anëve negative rastis të ketë dhe elementë të cilët mund të konceptohen si arritje. Të pakta por domethënëse mund të cilësohen këto elementë:
- I kushtohet një rëndësi më e madhe arritjeve të njerëzimit sesa luftrave
- Përshkruhen më qartë tendencat e zhvillimit ekonomik të botës në periudha të caktuara të historisë.
- Përfshihen për herë të parë njihuri të rajoneve të pastudiuara më parë.

Rritja e aftësive të të nxënit vihet re qartë në përpunimin e mirë të datave dhe koncepteve nga ana e nxënësve. Në këtë drejtim mund të themi se ka një përmirësim të dukshëm përsa i përket këtyre elementëve, nëse më parë marzhi i gabimeve ishte 30%-40% aktualisht në testime nxënësit kanë tendenca të gabojnë në nivele më të ulët. Nga ana tjetër një marzh më i madh gabimi vihet re në asociimin e emrave dhe veprave, apo mes emrit dhe periudhës historike. Një gjë tjetër që duhet lëvduar është dhe tendenca për të bërë interpretimn e ngjarjeve historike. Sado ky interpretim është shpesh arbitrar ose i përket tipeve të shkuar të arsyetimit historikne mund të themi se është një përpjekje pë tu vlerësuar.

5. Mangësi dhe probleme.
Në këtë tekst fatkeqësisht ka një sërë problemesh specifikë të cilët mund të konceptohen në:
1) Gabime që lidhen me renditjen dhe organizimin e njohurive. Kështu në Historinë e vitit të dytë vihet re që temat nuk janë organizuar në mënyrë të qartë dhe organike. Njoritë mbi Republikën e Dytë dhe Perandorinë e Dytë franceze janë të organizuara në të njëjtin mësim me tiparet e zhvillimit të Francës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe të shkëputur nga temat mbi bashkimin e Gjermanisë apo të Italisë. Nga ana tjetër revolucionet e vitit 1848 janë grumbulluar të gjithë në një mësim, duke krijuar kështu mundësi të krahasohen arritjet në vende të ndryshme evropiane por, në këtë mënyrë është reduktuar mundësia që të shihet në vazhdimësi rrjedha e ngjarjeve në rajone të ndryshme të Evropës dhe Botës.
2) Ka gabime shkencore në të dy tekstet kështu vlen të përmenden disa raste tipike
a) Në mësimin 3.9 Historia 1, Trashëgima e Greqisë së Lashtë, në fund të çështjes 1 flitet për organizimin e federatave në Epir. Pamvarësisht se theksohet se kjo federatë i përket shek.V p.K.përfshihet si formë e trashëgimisë helenistike kur në Grekët ende ishin në fazën e shthurjes së fisit.
b) Legjioni, në periudhën republikane, përbëhej nga 3000 këmbësorë
c) Në mësimin 4.4 çështja 1 thuhet Për të gjitha këto ai (Augusti) ruajti autoritetin e Senatit madje i dha funksione ligjvënëse në kurriz të tribunatit përse do ta bënte një gjë të tillë kur që nga viti 18 p.K. do ta merrte këtë pushtet dhe ky TITULL i garantonte Paprekshmërinë Më tej në radhitjen e Perandorëve të dinastisë Klaudi I renditet si perandor PARA Kaligulës, me të vërtetë Kaligula ishte nipi i Klaudit por ai ishte trashëgimtar i Tiberit . Për më tepër ishte në kohën e Klaudit dhe jo të Augustit sistemi i ndihmës sociale ku ushqeheshin 200000 SHTETAS ROMAKË,
d) Në mësimin 4.7 n faqe 76 mes fiseve të tjera barbare që u dyndën në Perandorinë romake përfshihen dhe sllavët, nuk ka nevojë për të qenë gjeni por Sllavët dynden në drejtim të Evropës dy shekuj pasi ra Perandoria romake.
e) Në faqe 79 thuhet se më 312 vetë perandori Konstandin u kovertua në besimin e Krishterë çdo individ që njeh pak histori kishtare e di se Konstandini u pagëzua në shtrat të vdekjes etj.
Ndërkohë teksti i vitit të dytë rezervon gafa si ajo e perceptimit të MEGALI IDEA si një program nacionalist grek! Natyrisht lind pyetja: Meqë MEGALI IDEA qenka program nacionalist ahere përse shqiptarët kërkojnë Çamërinë e drejta kombëtare (nacionale) u kërkon grekëve të marrin dhe Shqipërinë e Jugut deri, të paktën, në Vjosë.
Ide e bukur apo jo
Pas kësaj nuk besoj se duhet shtuar se sipas autorëve nacionalizmi shqiptar përfaqësohet vetëm nga N. Frashëri etj.
3) Probleme që lidhen me aparatin ndihmës. Tekstet e profilizuar jan ë të papaisur me harta, pamje apo foto. Është e pakuptueshme si mund të shpjegohet sidomos historia e Vitit të dytë pa patur ndihmën e hartave historike ndërkohë që në shkollën tonë 5 mësues histori-gjeografie ndajnë mes tyre 2 harta të cilat janë jo vetëm të papërshtatshme për lëndën e historisë por dhe të pamjaftueshme.
4) Mungon totalisht fjalori dhe shpjegimet e fjalëve janë shpesh rastësore dhe të pamjaftueshme.
5) Përdoren pavend fjalë të huaja të cilat mund dhe duhet të shmangen.
6) Pjesët e leximit janë të pamjaftueshme dhe ndonjëherë të rradhitura gabim.
7) Informacioni është shpesh jo i plotë psh. në lëndën Histori I:
I paplotë informacioni mbi Lindjen e Lashtë
Tema 4.1. çështja 2 mungojnë sqarimet për rolin e magjistraturave
Tema 4.3. të paplota informacionet në të tre çështjet
Tema 4.5. çështja 3 e paplotë
Në temat e Bizantit nuk ka informacion për IKONOKLAZMËN
Duhet trajtuar më gjerë dhe më saktë tema 7.1.
Nuk përmendet rëndësia e luftës së investiturave
I paplotë informacioni mbi INKUIZICIONIN
Të paqartësuara synimet e kryqëzatave
I paplotë informacioni mbi organizimin e shtetit dhe të ekonomisë osmane
I paplotë informacioni mbi Ballkanin mesjetar etj.
8) Mungon lidhja ndërlëndore me lëndët e tjera sidomos me Letërsinë.

6. Përfundime
1. Të ketë përputhje mes asaj që botohet në tekstet shkollore dhe interesave kombëtare dhe kushtetuese.
2. Të përcaktohen qartë dhe me saktësi cilat duhet të jenë aftësitë dhe vlerat që duhen edukuar; do të nxisim ende sistemin skolastik (letërsi-matematikë dhe po pat kohë të tjerat) apo sistemin e edukimit të vlerave qytetare dhe më pas të tjerat.
3. Duhet medoemos të përcaktohen sa më shpejt standartet e arritjes të lëndës së historisë dhe të riformulohen tekstet në përputhje me to. Gjatë kësaj kohe të përcaktohen më qartë saktësimet që duhen bërë.
4. Duhet të plotësohen tekstet me lexime të cilat duhet të jenë të ndërlidhura me detyra në formë ese-je ku të nxitet mendimi i lirë individual i nxënësve.
5. Duhet të prodhohen menjëherë atlase dhe albume historikë dhe të shpërndahen me tekstet, atlaset të kenë dhe harta skicë për tu plotësuar nga nxënësit
6. Të përfshihen në aparatin didaktik të mësimit Fjalorthë.
7. Të reduktohen tema pa ndonjë interes të madh si psh. Tema e fundit në vit të parë dhe të zgjerohen temat e tjera ku informacioni të jetë më i plotë.

Shkembejeni

Rreth autorit

Shkruani nje koment

loading...