Kreu | Kulture | Giuseppe Ungaretti - Miti i shkretetires ne poezine e tij

Giuseppe Ungaretti - Miti i shkretetires ne poezine e tij

Alva Dani
Giuseppe Ungaretti Giuseppe Ungaretti

Giuseppe Ungaretti ben pjese ne ate gjenerate poetesh qe vete koha i shnderroi ne mite te padiskutueshme ne memorien e cdo lexuesi. Ta ka enda te lexosh poezine e tij te lindur nga misteri i natyres, ato pak fjale te izoluara qe i ngjajne endacakeve ne shkretetire, por qe mjeshteria e poetit i beri te paperseritshme, duke i shnderruar ne emblema. Ungaretti lindi ne Aleksandri te Egjiptit, ne kufinjte e shkretetires, aty ku drita dhe nxehtesia krijojne mirazhe dhe rera shperbehet ne mijera therrime pa mundur te marre forme asnjehere. Pikerisht ketu merr jete poezia e tij, ketu gjen stimulin e pare te origjines. Ne nje interviste te dhene ne 1965-en shprehet: Shkretetira ishte shenja e pare qe vuri ne levizje ndjenjen dhe fantazine time.

Giuseppe Ungaretti bën pjesë në atë gjeneratë poetësh që vetë koha i shndërroi në mite të padiskutueshme në memorien e çdo lexuesi. Ta ka ënda të lexosh poezinë e tij të lindur nga misteri i natyrës, ato pak fjalë të izoluara që i ngjajnë endacakëve në shkretëtirë, por që mjeshtëria e poetit i bëri të papërsëritshme, duke i shndërruar në emblema. Ungaretti lindi në Aleksandri të Egjiptit, në kufinjtë e shkretëtirës, aty ku drita dhe nxehtësia krijojnë mirazhe dhe rëra shpërbëhet në mijëra thërrimë pa mundur të marrë formë asnjëherë. Pikërisht këtu merr jetë poezia e tij, këtu gjen stimulin e parë të origjinës. Në një intervistë të dhënë në 1965-ën shprehet: Shkretëtira ishte shenja e parë që vuri në lëvizje ndjenjën dhe fantazinë time.

Unë jam nga Aleksandria e Egjiptit: vendet e tjera të Lindjes ndoshta kanë një mijë e një netët: Aleksandria ka shkretëtirën, ka natën, ka asgjënë, mirazhin, lakuriqësinë imagjinare që dashurohet çmendurisht dhe të bën të këndosh pa zë. E përkufizon kështu vetë poeti truallin e thërmuar në të cilin lindi dhe u mvesh me një mijë ndjesi që i ushqyen ndjenjat. Në poezinë 1914-1915 poeti shkruan:
Të pashë, Aleksandri,
të thërrmueshme në tokën tënde fantazëm
Ndërsa shndërroheshe në kujtim
Në një përqafim pezull dritash.

Po të vazhdojmë të lexojmë poezi të tjera do të shohim në mënyrë të pashmangshme dhe fare te natyrshme fjalë që duket sikur vazhdojnë dhe thërrasin shkretëtirën: oazi, palmat, netët e thata, mirazhet, minaret, beduinët, e lehura që humb në shkretëtirë etj. Shkretëtira është pjesë e pandashme e qënies së tij, e ekzistencës së tij poetike. Kjo poezi shpesh herë merr jetë dhe muzikalitet nga kënga e beduinëve që shëtisin nëpër shkretëtirë, nga thirrjet e vetmuara të natës, nga jehonat e hapësirave të mëdha e të pafundme, dhe kthehet në diçka të pazakontë dhe thellësisht prekëse.

Perëndim
Lëkura e qiellit
i zgjon oaze
endacakut të dashurisë
Natë maji:
Qielli vendos në maje
të minareve
kurora dritash.

Për poetin italian, jeta në Aleksandri, në qytetin e shkretëtirës, nuk mund të linte asnjë gjurmë në kohë. Aleksandria është një qytet pa asnjë monument, që të mund të tregojë të kaluarën antike. Është e ndryshueshme, sepse vetë koha e merr gjithnjë me vete dhe e lë ashtu të zbrazët, lakuriqe, me një ndjenjë të pashmangshme shpërbërjeje.

Është pikërisht mirazhi i kësaj asgjëje dhe i kohës që nuk lë gjurmë, që bën të shkrepëtijë imagjinatën e poetit, që e tërheq deri në fëmijëri, në kohën kur këto mirazhe ishin diçka mëse e zakontë.

Në mënyrë të natyrshme monotonia bëhet fryt i menjëhershëm i shkretëtirës: Në shkretëtirë nuk shohim më as qiell as tokë. Gjithçka mban një ngjyrë të njëllojtë të verdhë në gri në të cilën mund të lëvizni me shumë vështirësi si brenda një reje. Dhe përsëri rrjeshta të tjerë të jashtëzakonshëm për këtë monotoni të ethshme që kishte filluar të lëshonte rrënjë nëpër venat e poetit: Dielli tashmë bie pingul, gjithçka është e pezullt dhe e turbullt, çdo lëvizje është e mbuluar, çdo zhurmë e mbytur. Tashmë nuk kemi një orë me hije as edhe me dritë. Është ora e monotonisë ekstreme. Ne heshtjen e shkretëtirës ku jetoi, Ungaretti provoi edhe ndjenjën e vdekjes, që e shoqëroi çdo javë gjatë fëmijërisë tij të parë. E ëma e shoqëronte me javë të tëra në varreza, për të thënë lutjet pranë varrit të të atit. Ecnin gjatë në këmbë në një zonë pothuajse të pabanuar dhe zhytej i tëri në një peisazh asgjesues.

... gjithçka thërrmohet, gjithçka nuk zgjat veçse tepër shkurt, gjithçka është e përkohshme. Kisha rënë pre e atij peisazhi, e asaj pranie, e atij kujtimi, e asaj thirrjeje të vazhdueshme të vdekjes. Dhe ndjenja e vdekjes nuk do ti ndahej poetit edhe për një kohë të gjatë, tashmë jo më në Aleksandri, jo më në shkretëtirën mitike të mirazheve, por në një terren më se të prekshëm, ku jeta dhe vdekja bashkëjetonin ethshëm.

Poeti kalon eksperiencën e tmerrshme te luftës, në Karso, dhe pikërisht aty shkruan poezitë e tij më të bukura, të papërsëritshmet poezi të shkurtra, ku edhe heshtja edhe fleta e bardhë flasin më shumë se çdo fjalë tjetër me ngarkesë poetike. Ne nuk mund te ndalemi ketu, shkretëtira u shndërrua në një mit të vërtetë për poetin dhe poezinë, ajo vazhdoi të zgjerohej e të shtrihej pafundësisht, duke u bërë pjesë e pandashme e jetës së tij deri në ditën e fundit, deri në rrjeshtat e fundit poetik kur shkroi Dunjën, sepse edhe atëherë kishte ndër mend imazhin e gruas arabe.

Shkretëtira i mbushte shpirtin me një mijë ndjesi dhe mes tyre i shkaktonte vetmi: ...një nga stimujt që më bëri të ndjehem i shkëputur nga gjithçka dhe njeri i vetëm, absolutisht i vetëm, është afërsia ime me shkretëtirën, ku kalova njëzet vitet e para.

Dhe kjo ndodh në një poezi të tillë si Krishtlindje duke krijuar një kontrast të fortë mes asaj që ndjen poeti dhe festës së hareshme dhe të zhurshme:
Më lini kështu
si një
send
vendosur
në një
kënd
e të harruar.

Pastaj kemi ndjenjën e endacakut, e njeriut te shpërngulur, të çrrënjosur, e atij që nuk e di nëse do të ketë më një shtëpi, e atij që mbart një identitet të pasigurt, lidhjet e gjakut, një mall dhe dashuri e madhe për atdheun që nuk e kishte parë asnjëherë e për të cilin kishte dëgjuar vetëm të flitej: të gjitha këto përcaktuan fatin e Ungarettit, fatin e poezisë së tij, fatin e viteve që do të vinin.

Endacaku
Në asnjë
vend
të botës
nuk mund
të martohem...
E largohem gjithnjë i huaj.

Por nga ana tjetër, Aleksandria, megjithëse dheu i huaj, mbetet vendi mikpritës, vendi i takimit dhe kryqëzimit të një mijë racave dhe një mijë gjuhëve. Ungaretti shkruan: Shokët e mi ishin djem që i përkisnin të gjitha besimeve dhe kombësive nga më të ndryshmet. Është një zakon i imi që në fëmijëri, të dhënit e një farë rëndësia kombësisë personale, por tek e fundit nuk mund të pranoj se nuk është vëlla i im ai që kishte një tjetër. Pra pikërisht nga ky qytet kaq multietnik na vjen një mësim tjetër hapjeje dhe kozmopolitizmi.

Kjo në mënyrë të padiskutueshme ndikoi në formimin e poetit të ardhshëm, në mënyrën e tij të jetesës (sepse asnjeherë nuk do të jetonte gjatë në një vend, Aleksandri, Romë, Paris, San Paolo do të përbënin intinerarin e përhershëm të jetës dhe punes së Ungarettit). Aleksandria është thesari i çmuar dhe qyteti me vlera të padiskutueshme, ndërsa shkretëtira miti i pazëvendësueshëm në poezinë e tij. Shkretëtira do të mbetet frymëzimi i parë dhe i vazhdueshëm i poetit, do të mbetet ngacmuesi i përhershëm i ndjenjave të shpirtit poetik, nga ku buroi kjo poezi e pastër për rreth gjysëm shekulli, e papërsëritshme dhe shembull i përkryer për brezat që do të vinin.

Giuseppe Ungaretti

Cfare mendimi keni per kete artikull, ju pelqen apo jo?

Subscribe to comments feed Komente: 0 postime

Ju duhet te identifikoheni per te postuar komente!


Rrjete Sociale

Google+

Facebook
Autori
Alva Dani
Alva Dani
Kendi i Reklamave
Vleresoni kete artikull
0
Publikoni artikullin
Kendi i Reklamave