Kreu | Dossier | Ramadan Sokoli - Jeta tragjike e etnomuzikologut te famshem

Ramadan Sokoli - Jeta tragjike e etnomuzikologut te famshem

Dashnor Kaloci
Ramadan Sokoli Ramadan Sokoli

Jo shume larg qendres se kryeqytetit, ne afersi te Rruges se Barrikadave, ne katin perdhes, apo me sakte ne bodrumin e nje shtepie te vjeter tiranase, prone e familjes se njohur, Petrela, deri para nje viti jetonte i vetem profesori i famshem, Ramadan Sokoli. Qe para pak vitesh, kur bashkeshortja e tij, nje grua fisnike nga familja Petrela, u nda nga kjo jete, muzikologu i njohur i ngrysi ditet me brengen e vetmise se pakthyeshme. Nje vizitor i zakonshem qe do te hynte ne ate shtepi, do te qortonte veten se kishte shkelur gabimisht ne ndonje muze antik apo te Mesjetes, apo ne ndonje galeri arti e antikuaresh te nderthurura mes librash te vjeter e te rinj, ku partiturat klasike e moderne gjendeshin kudo neper rafte dhe sirtare. Vite te shkuara, ketu e nje dekade me pare, kur muzikologu i famshem nuk ishte i renduar ende nga shendeti e memoria, pas disa takimesh jo te pakta ne ate mjedis brilant te shtepise se tij ku ta kishte enda ta shijoje perseri, me shume mundime arritem ta bindnim profesorin flokebardhe per te shkruar dicka nga jeta e tij. Ose e thene ndryshe, per te shenuar dicka nga kalvari i gjate ne te cilin ai kaloi per afro 45 vjet nen regjimin komunist.

Jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, në afërsi të Rrugës së Barrikadave, në katin përdhes, apo më saktë në bodrumin e një shtëpie të vjetër tiranase, pronë e familjes së njohur, Petrela, deri para një viti jetonte i vetëm profesori i famshëm, Ramadan Sokoli. Që para pak vitesh, kur bashkëshortja e tij, një grua fisnike nga familja Petrela, u nda nga kjo jetë, muzikologu i njohur i ngrysi ditët me brengën e vetmisë së pakthyeshme. Një vizitor i zakonshëm që do të hynte në atë shtëpi, do të qortonte veten se kishte shkelur gabimisht në ndonjë muze antik apo të Mesjetës, apo në ndonjë galeri arti e antikuarësh të ndërthurura mes librash të vjetër e të rinj, ku partiturat klasike e moderne gjendeshin kudo nëpër rafte dhe sirtarë. Vite të shkuara, këtu e një dekadë më parë, kur muzikologu i famshëm nuk ishte i rënduar ende nga shëndeti e memoria, pas disa takimesh jo të pakta në atë mjedis brilant të shtëpisë së tij ku ta kishte ënda ta shijoje përsëri, me shumë mundime arritëm ta bindnim profesorin flokëbardhë për të shkruar diçka nga jeta e tij. Ose e thënë ndryshe, për të shënuar diçka nga kalvari i gjatë në të cilin ai kaloi për afro 45 vjet nën regjimin komunist.

Familja Sokoli në kronikat e Evla Celebiut

Po të rrëmosh ndër libra të vjetër, tutje në thellësitë e shekujve, me familjen Sokoli do ta ndeshesh në memuaret e kronikanit turk, Evla Celebi, i cili e ka përshkruar atë si një familje pronare e madhe tokash. Asokohe, ajo familje njihej me mbiemrin Dervishaj, ku pothuajse të gjithë anëtarët e saj ishin të shkolluar nëpër kolegjet e universitetet më të dëgjuara të kohës. Sipas kronikanit të famshëm turk, në periudhën e sundimit të Bushatllinjve, ajo familje bëri krushqi me ta. Kështu, Veziri i parafundit i Bushatllinjve, Mustafa Pasha, mori për nuse për vëllanë e tij, një vajzë nga dera e Dervishajve. Nga kjo martesë lindën dy djem, që ishin nipat e Dervishajve, dhe pas vdekjes së të atit të tyre, ajo familje u shua fare prej Vezirit të fundit, si rezultat i kontradiktave të thella e armiqësive të brendshme familjare. Dy djemtë e kësaj familje të cilët quheshin; Mahmut e Dervish, u rritën në pallatin e Sulltanit në Stamboll. Mahmuti kishte dy djem; Hodon dhe Ibrahimin, kurse Dervishi kishte një djalë që quhej Duro. Ibrahimi kishte një djalë; Isufin, ndërsa Hodo, djali i Mahmutit, kishte një motër të martuar te Veziri i Tivarit, dhe një tjetër tek Iljaz Pashë Dibra (Kryetari i Lidhjes së Prizrenit). Hodo vetë, i cili ishte baxhanak me Oso Kukën e famshëm, kishte mbaruar Akademinë Ushtarake të Stambollit. Një farë kohe ai kishte shërbyer në detyrën e qark-komandantit të këtij qyteti, kryeqendra e Perandorisë Osmane. Në kohën e krizës së thellë lindore, Hodua erdhi përsëri në Shqipëri, i caktuar me komisionin e mbikëqyrjes së kufijve. Jusufi (babai i Ramadanit), u shkollua në Shkodër e Stamboll, pa arritur të diplomohet, kurse Ibrahimi, pasi mbaroi me rezultate të larta Universitetin e Drejtësisë në Stamboll, punoi si gjykatës, apo më saktë si interpretues i Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Jusufi e tre djemtë, në burgjet e regjimit komunist

Për herë të parë, babai i Ramadanit, Jusufi, do të zbohej nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra, prej turqve në fillimet e para të këtij shekulli. Pas largimit nga Shkodra, ai u vendos në Bosnjë dhe në Mal të Zi. Në vitin 1913, Jusufi u martua me një vajzë nga familja e njohur e Jukajve në Shkodër, e cila quhej Aishe. Nga kjo martesë atyre u lindën 9 fëmijë; tre djem e gjashtë vajza. Në periudhën e pushtimit italian, (1939-1942), për bindjet dhe aktivitetin e tij antifashist, Jusuf Sokoli u internua dy herë në gadishullin Apenin. Gjatë asaj kohe, Ramadani (i dyti i vëllezërve), i cili në ato vite studionte në Konservatorin e Firences, shkonte herë pas here për ta parë të atin në vendin e internimit. Këtë fat kishte pësuar edhe Aishja në Luftën e Parë Botërore, e cila në kohën e gjurulldirave që përfshinë Shkodrën, u burgos dy herë nga austriakët. Pas mbarimit të luftës, Jusufi u arrestua përsëri nga regjimi komunist dhe u burgos për dy vjet me radhë në 1946-48 në qytetin e Shkodrës. Dënimi i Jusuf Sokolit, erdhi pas akuzave që iu bënë si pjesëmarrës në kryengritjen antikomuniste të Postribës. Po kështu, fare pak kohë pas mbarimit të luftës, u arrestua edhe djali i parë i Jusufit, Ibrahimi, i cili ishte diplomuar për Drejtësi në Beograd në fund të viteve 30-të. Ibrahimi asokohe njihej ndër ajkën e intelektualëve të rinj të qytetit të Shkodrës dhe në periudhën e pushtimit fashist kishte aderuar në Lëvizjen e Legalitetit. Ibrahimi pati një fat tejet tragjik, pasi atij i kaloi pothuajse e gjithë jeta në burgje e internime, duke bërë plot 27 vjet burg, së bashku me gruan e tij, Shano Hasan Dostin, dhe kjo e burgosur për faje politike. Pas Jusufit e Ibrahimit, po në vitin 1946, u arrestua dhe u dënua me 5 vjet burg politik, edhe vetë Ramadani, duke u akuzuar për agjitacion e propagandë dhe si pjesëmarrës i kryengritjes së Postribës. I cilësuar si armik i popullit, Ramadani e vuajti të gjithë dënimin dhe u lirua nga burgu në vitin 1950, pasi kishte punuar në kanalet e kënetat e Bedenit të Kavajës. Si për ta plotësuar deri në fund regjistrin e dënimeve të familjes Sokoli, në vitin 1960, u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg politik dhe vëllai i tretë i asaj familjeje (më i vogli nga tre vëllezërit) Hodua, i cili u ridënua në burg me kryengritjen e Spaçit. Hodua mundi të lirohet nga burgu vetëm në fundin e vitit 1990, pas ndërhyrjes së Ismail Kadaresë, i cili ishte mik i ngushtë i Ramadanit. Ndërsa vëllezërit Sokoli vuanin në burgjet e regjimit komunist, dy prindërit e tyre, Jusufi me Aishen, u ndanë nga jeta në një kohë të shkurtër nga njëri-tjetri, aty nga viti 1957.
Ramadani nga konservator i Firences në burgun politik
Ramadani, i mesmi nga tre vëllezërit Sokoli, lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1920. Shkollën fillore ai e kreu në vendlindje në vitet 1927-31 dhe që në klasën e dytë ai mësoi notat e muzikës duke luajtur në disa vegla muzikore. Shkollën e mesme ai e mbaroi në gjimnazin e shtetit në vitet 1931-39 po në atë qytet. Pasi mbaroi gjimnazin me rezultate të larta, ai fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur Konservatorin e Firences në Itali për Flaut e Kompozicion. Gjatë periudhës së studimit në atë konservator, Ramadani kishte një shoqëri të madhe me Qemal Stafën, Kristaq Tutulanin, Qemal Dracinin, për të cilët deri në fund të jetës ai ruajti kujtimet më të mira të asaj kohe të shkuar. Për shkak të luftës, në vitin 1944, Ramadani i ndërpreu studimet në atë konservator dhe u kthye në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër. Në atë kohë ai u përla nga vorbulla famëkeqe e luftës së klasave, e cila e përplasi birucave të improvizuara të burgjeve të Shkodrës e kënetave të Bedenit në rrethin e Kavajës. Në këto ambiente, Ramadani, do të fillonte për herë të parë njohjen me ajkën e inteligjencës shqiptare, të cilët sipas tij do të bëheshin profesorët e një universiteti tjetër. Lidhur me këtë, ai shprehej: Bash në rrethana të tilla, kur isha i burgosur politik, kam filluar të merrem me folklorin. Meqë disa nga bashkëvuajtësit që ndodheshin aty ishin bartës të zgjedhur të folklorit, përfitova nga rasti për të vjelë prej tyre lëndë të vyer. Mu aty, duke hulumtuar visarin tonë kombëtar, të trashëguar gojarisht brez pas brezi, u binda se atdheu ynë është vend i zgjedhur për gjurmuesit e folklorit, shprehej profesori i famshëm për zanafillën e profesionit të tij të ardhshëm. Pas daljes nga burgu, në vitin 1951, ai u vendos në qytetin e Tiranës, si për tu shpëtuar disi kthetrave të luftës së klasave.

Peripecitë pas daljes nga burgu

Gjatë gjithë periudhës së burgut, Ramadani mundi të vilte prej shumë kolegëve të tij të qelive, një kulturë të madhe në fushat e folklorit e muzikologjisë, të cilat i shërbyen si lëndë e parë në hartimin e përpilimin e mëvonshëm të dy teksteve shkollore që do të bëheshin patenta e tij në rrugën e saponisur të etnomuzikologjisë. Pas vendosjes në Tiranë, i vetëm dhe pa asnjë lloj përkrahjeje, duke shtrënguar fort nën sqetull dy librat e sapopërfunduar, ai trokiti nëpër dyert e administratës shtetërore, duke kërkuar ndonjë punë që kishte të bënte me muzikën. Nga mungesat e mëdha të kuadrit mësimdhënës, kryesisht të atyre të muzikës, ai arriti të punësohet në Filarmoninë Shqiptare. Në këtë punë ai shërbeu për pak kohë deri se u mor vesh biografia e tij si armik i klasës dhe u pushua shpejt. Pas kësaj, mbas disa ndërhyrjesh ai mundi të rifillojë punë në kryeqytet si drejtues muzike në Shtëpinë e Kulturës nga viti 1952 deri në 1954 kur u pushua përsëri. Me mundime të mëdha ngaqë kishte shumë nevojë për kuadrin mësimor të muzikës, ai u rregullua si mësues në Liceun Artistik në Tiranë. Në këtë shkollë Ramadani punoi pa ndërprerje në mes peripecish të shumta derisa doli në pension në vitin 1980. Gjatë gjithë këtyre viteve Ramadani u mor pa ndërprerje me studime në lëmin e muzikologjisë dhe folklorit, duke arritur të bëhet një nga personalitetet kryesore dhe të vetmit në këtë fushë. Në Liceun Artistik, Ramadani ka dhënë një sërë lëndësh të ndryshme si flaut, folklor muzikorë, harmoni, histori muzike, teori solfezhi, muzikë dhome etj. Me nismën e tij u përfshi në programin mësimor të shkollave të mesme dhe lënda e folklorit muzikor për të cilat ai hartoi tekstet përkatëse, të cilat studiohen akoma dhe sot. Në këtë lëndë, ai ka dhënë mësim dhe në Institutin e Lartë të Arteve për 10 vjet me radhë duke përgatitur dhe laboratorë përkatës tepër të pasur me instrumente të larmishme.

Libra të botuar dhe dy dokumentarë

Ndonëse profesor Ramadani kishte gati për botim prej vitesh disa libra, për herë të parë botimi i tyre filloi në vitin 1958. Nga ajo kohë e deri në vitin 1995, kur është botuar libri i tij i fundit i titulluar 16 Shekuj, i janë botuar 13 libra vetëm brenda vendit. Po kështu, profesor Sokolit i janë përkthyer e botuar edhe disa libra të tjerë në disa shtete të Europës. Shkrimtari i famshëm, Ismail Kadare, në revistën La Letrus Albanese, ka botuar mbi 200 faqe vetëm për krijimtarinë e profesor Ramadan Sokolit. Disa nga titujt e veprave të Sokolit janë përfshirë dhe në enciklopeditë e huaja, si dhe në katalogët bibliografikë të UNESCO-s. Këto janë përshëndetur e vlerësuar nga muzikologët gjermanë Doris Stockman, W. Fiedler dhe E.Stockman, në Albaniesen Volkmusik Berlin 1965. Po kështu, muzikologu anglez njëri nga më të njohurit në botë A. L. Lloyd, në disa numra të revistës Int. Folk Music Council, ka recensionuar disa nga veprat e Sokolit. Një jehonë të madhe kanë pasur veprat e tij sidomos tek arbëreshët e Italisë dhe në Kosovë, ku muzikologu i njohur, dr. Rexhep Murushi, është marrë shumë me etnomuzikologjinë e Sokolit. Krahas këtyre veprave, Sokoli në vitin 1957 ka udhëhequr të parën ekspeditë etnomuzikologjie në Shqipërinë Jugore në bashkëpunim me një ekip nga Akademia e Shkencave të Berlinit Lindor, ndërsa në vitin 1969, ai ka udhëhequr një ekspeditë të dytë në verilindje të Shqipërisë, në bashkëpunim me një ekip nga Akademia Rumune e Shkencave. Disa nga këto punë të Sokolit, të muzikës e folklorit popullor, janë fshirë nga bobinat, e të tjera janë përvetësuar nga disa plagjiatë që kanë vegjetuar prej vitesh në atë institut. Krahas këtyre punëve, profesor Sokoli ka realizuar dhe disa dokumentarë me ish-Kinostudion Shqipëria e Re, si ato për Jan Kukuzelin, Niket Dardanin, arbëreshin Lorenc Tardo e muziktarit Gjon Kujxhia. Për realizimin e dy dokumentarëve të parë, Ramadani ka pasur shumë peripecira deri nga Komiteti Qendror i PPSH-së, duke u akuzuar se kishte sjellë në ato koret fetare të Vatikanit. Pas shumë problemesh tepër serioze që ju paraqiten në lidhje me këto, u desh ndërhyrja e Ramiz Alisë që të lejoheshin transmetimet e tyre.

Ramadan Sokoli

Cfare mendimi keni per kete artikull, ju pelqen apo jo?

Subscribe to comments feed Komente: 0 postime

Ju duhet te identifikoheni per te postuar komente!


Rrjete Sociale

Google+

Facebook
Autori
Dashnor Kaloci
Dashnor Kaloci
Kendi i Reklamave
Vleresoni kete artikull
0
Publikoni artikullin
Kendi i Reklamave