Fatmir Haxhiu, nënkoloneli i ushtrisë dhe gjenerali i pikturës
Në vitin 1984 shkoja vazhdimisht në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Më tërhiqte ambienti me njerëz plot kulturë dhe humor. Edhe botimet në gazetën "Drita" më afruan. Aty kam patur fatin të takoj shumë të njohur që tani, fatkeqësisht nuk jetojnë më. Ruaj kujtimet më të bukura prej tyre. Ndër ta, piktori Fatmir Haxhiu. Një mëngjes, e rrallë për të, ai u ul pranë nesh, sepse njihte dy prej miqve të mi, poetin Agim Shehu dhe shkrimtarin Siri Sulejmani. Po ky djali me portret grek, cili është? -pyeti. Pastaj më ftoi të shkoja ndonjë ditë në studion e tij, e cila ndodhej jo më larg se 20 metra nga ndërtesa e Lidhjes.
Në vitin 1984 shkoja vazhdimisht në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Më tërhiqte ambienti me njerëz plot kulturë dhe humor. Edhe botimet në gazetën "Drita" më afruan. Aty kam patur fatin të takoj shumë të njohur që tani, fatkeqësisht nuk jetojnë më. Ruaj kujtimet më të bukura prej tyre. Ndër ta, piktori Fatmir Haxhiu. Një mëngjes, e rrallë për të, ai u ul pranë nesh, sepse njihte dy prej miqve të mi, poetin Agim Shehu dhe shkrimtarin Siri Sulejmani. Po ky djali me portret grek, cili është? -pyeti. Pastaj më ftoi të shkoja ndonjë ditë në studion e tij, e cila ndodhej jo më larg se 20 metra nga ndërtesa e Lidhjes. Edhe studio ishte e madhe si emri i tij në art. U befasova nga punimet e mjeshtrit të pikturës. Kudo kishte vepra të vendosura njëra pas tjetrës. Me përmasa të mëdha, tablo epike, luftarake dhe historike. Më dukej si Rembrandi. Studio e pastër dhe shumë e rregullt. Fatmir Haxhiu nuk ishte artist i shkujdesur, bohem, si ata që shpresojnë të bëhen interesantë me atë çikë talent që mund të kenë. Mjeshtri i madh i penelit ishte artist i disiplinuar. Frymëzimin nuk e gjente tek rrëmuja, asgjëja, abstraktja, pija apo jeta e shthurur. Ai ishte modeli i disiplinës njerëzore dhe artistike.
U hutova pas studios së tij. Kisha qenë në shumë studio piktorësh dhe skulptorësh. Kudo rrëmujë, allçi, buste të thyer, bojë, kanavacë të shqyer, penela të pistë e të thyer, këpucë pa lidhëse, bishta cigaresh, shishe pije bosh e gjysma pantallonash. Në disa vende aromë urine apo edhe e ndonjë prostitute rruge.Studio si të Fatmir Haxhiut nuk kisha parë kurrë. Edhe sot nuk më kanë zënë sytë. Ai zotëri me pamje aristokrati dhe artisti të madh, të bindte se studio është vend frymëzimi shpirtëror, krijimtarie, pune të madhe dhe relaksi. Jo mejhane e WC. Se i ishin të tilla, disa prej tyre nxorën vepra me aromë qoftesh dhe haleje. Ndërsa mjeshtri përmetar, siç mbante studion kishte edhe cilësinë e veprave. Prandaj edhe sot ato adhurohen nga shikuesit. Piktori më dha albumet e fotove të punimeve. Ndërkohë largohej dhe afrohej tek telajo. Çonte kokën sa majtas- djathtas për të parë më mirë veprën dhe detajet. Herë vështroja fotot dhe herë atë. Bisedonim dhe qeshnim. I tregoja barsoleta dhe ai shpërthente me gjithë shpirt. Ishte nga të rrallë artistë që i pëlqeja mënyrën e jetës dhe punës. Çdo ditë në ora nëntë të mëngjesit do e gjeje në studio. Punonte deri vonë. Nëse vepra duhej përfunduar shpejt, ai gdhihej aty, në ato divane të pastër e të rregullt, edhe me dy orë gjumë. Kurrë nuk dëgjova biseda banale nga ai. Kurrë nuk fyente njeri apo të merrte në gojë kolegët. Punonte, vetëm punonte. Ndonëse i kishin bërë edhe padrejtësi politike me artin. Më tregonte për udhëtimet në Austri me piktorin Kujtim Buza dhe Greqi me skulptorin Kiço Krisiko. Albumet fotografike të atyre udhëtimeve i ruante. Fliste plot pasion dhe energji. Kur e shikoja duke punuar mbi telajo të vogla në peizazh, portret apo grafikë, e ngacmoja: Profesor, nuk të shkon ajo e punuar ashtu!
Dukesh sikur po merr në shenjë një tabelë qitje. Tablotë e mëdha janë për ty. Ti ke lindur vetëm për to. Por edhe aty ai ishte mjeshtër. Janë qindra peizazhe, portrete apo frymëzime të tjera që janë derdhur mjeshtërisht nga ai. Çdo fragment i tablove të tij është realizuar po me aq dashuri sa një peizazh i vetëm.Fatmir Haxhiu kishte lindur në Gjirokastër më 28 dhjetor 1927, por rridhte nga një familje patriote përmetare. Më 1930 u vendosën në Tiranë. Arsimin fillor e kreu në "Shkollën e Kuqe". Në vitin 1941 lidhet me rininë komuniste dhe më 1943 del partizan. Pas lufte shkon për studime ushtarake në Beograd. Pastaj në Zagreb. Atje zbulon të bukurën e arkitekturës dhe arteve të atij kryeqyteti. Më 1945 kthehet dhe emërohet ushtarak i lartë. Nga viti 1956- 59 punon si pedagog në Shkollën e Bashkuar të oficerëve. Por ai ishte ushtarak artist. Që herët ai ishte mik i mjeshtrave të paharruar Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Odise Paskali, Foto Stamo, etj. I riu, që më vonë do të renditej denjësisht në krah me ta, u bë njëherësh dhe miku më i madh i tyre. Por artisti ndjente nevojën e shkollimit. Në vitin 1965 mbaron shkëlqyeshëm Institutin e Lartë të Arteve. "Kalimi i divizionit të parë në veri" (200 x 300 cm) ishte kompozimi për diplomën. Lufta dhe qëndresa e popullit në shekuj u bënë motivi kryesor i krijimtarisë së tij. Në ushtri kishte gradën nënkolonel, në pikturë gjeneral. Pikturat e Haxhiut janë album i historisë së Shqipërisë. Pa fjalë, aty shikon heroizmin e këtij populli.
Ai e donte pa masë vendin e tij. Fliste me pasion sikur të ishte larg atdheut. Por banonte dhe punonte në zemër të tij. Aq shumë e donte vendin, historinë. Prandaj i fali rininë, përkushtimin dhe talentin si asnjë tjetër. Që nga punët madhështore që duhej të ishin perfekte e deri tek familja, Haxhiu ishte modeli i artistit, babait e bashkëshortit. Nga ai kam dëgjuar adhurim për gruan e vet. Nga ai njoha dy fëmijët, Arianën e Tanin, që nuk ishin larg me babain e tyre. Gjithë ata që njihnin nga afër Fatmir Faxhiun, si njeri, fqinj, ushtarak, pedagog dhe artist, flisnin fjalët më të mira. Dhe ai i meritonte. Burrë i pashëm, krenar, tepër i edukuar, i qeshur, Haxhiu mbetet miku më i mirë për të gjithë. Më ndodhte që ndaloja më parë tek studio e tij, pastaj në klubin e Lidhjes. Aty ishte Fatmiri? -më pyesnin artistët e tjerë. Sigurisht, po punonte, jo si ju që prisni një teke fërnet. Të gjithë habiteshin me vullnetin e tij. Nuk e kalonte kohën kafeneve me llogje të kota. Vetëm punonte.Një ditë më propozoi të realizonte portretin tim. Ishte viti 1985, qershor. Më vështronte dhe vizatonte. Më duhet karakteri yt, jo tiparet, -më tha. Atë nuk ta tregoj, -e ngacmoja. Nuk ka nevojë, e shpreh nëpërmjet fytyrës, -përgjigjej artisti. Në fund e firmosi: Luanit me dashuri dhe respekt. 30. 5. 1985. E ruaj si gjënë më të çmuar atë portret. Jam i lumtur se ajo dorë Mjeshtri që krijoi historinë në art, lartësoi heronjtë me madhështi artistike, ka realizuar edhe portretin tim.Ai njihet si piktori i tablove të mëdha kompozicionale. Njerëzit e këtij zanati e dinë mirë çdo të thotë të realizosh vepra të tilla. Mikelanxhelo, Rembrandi, Ticiani, Luçiani, Rubens, Rosa Fiorentina, Ruselli, El Greko, Delakrua, Filipo da Kampanje, janë paraardhësit e tij. Në Shqipëri, artist i këtyre përmasave është Fatmir Haxhiu. Ai nuk pikturonte flu. Figurat janë të qarta, realiste. Si ato në qendër edhe në sfond, kanë tiparet e tyre karakteristike.
Plot kolorit e dinamizëm, tablotë e Haxhiut shprehin edhe karakterin e artistit. Përfytyroni një betejë, ku borizani jep kushtrimin me gishtin në fytin e shpuar nga plumbi! Kjo është ngjarje e vërtetë, e realizuar tek vepra "Tenda e Qypit". Ky është Mjeshtri Fatmir Haxhiu, autor i "Stroskë" 1944, "Beteja e Albulenës", "Me shpatë në dorë", "Bashkimi i principatave" afresk (300 x 800cm), "Vrana Konti me trimat e tij" afresk, "Kryengritja e Matit", "Çajmë rrethimin", "Këshilltarët e Hekalit", "Tokë e zhuritur", "Shpallja e Republikës", "Në Shtabin e Përgjithshëm- Odriçan", "Beteja e Kaçanikut", "Sofra e poezisë kosovare", "Lypësja", "Vallja e shpatave", etj. Kush dëshiron të njihet më shumë më to, të klikojë në faqen e tij www.haxhiu.net në internetit .Për çlodhje Fatmir Haxhiu kishte sërish punën. Vetëm me një ndryshim. Kalonte në gjininë e peizazhit, portretit dhe punime grafike. Nëse do mblidheshin veprat e këtij talenti të madh e të vendoseshin anës bulevardit "Dëshmorët e Kombit", do të radhiteshin nga sheshi "Skënderbej" deri tek korpusi i Universitetit. Por ato janë të shpërndara. Jo vetëm në Shqipëri. Në Itali koleksionistët privatë mrekullohen me pikturat e Haxhiut. Ndoshta edhe fitojnë.
Në Francë, Spanjë, Austri, Greqi, Japoni, Kinë, Rusi, Amerikë, Zvicër, Hungari, Turqi, Jugosllavi, Australi, etj, gjenden veprat e tij. Nëse shteti shqiptar do të publikonte një album me punimet e tij, padyshim do lartësonte vlerat e veta.Pas njeriut, kali është krijesa më e bukur, thotë estetika. Për mjeshtrin Haxhiu, kjo mrekulli e natyrës, kali, zinte një vend të veçantë në krijimtari. Ndoshta sepse historia është shkruar edhe mbi të apo nën këmbët e tij. Qindra skica e vizatime me kokën, veshët, vidhet e këmbët e kuajve do të gjeje në studion e tij. Kalin e adhuronte. Edhe pas viteve `90 ai punonte. Vetëm pikturonte. Gjithnjë më ka befasuar një përkushtim i tillë për artin tek ai. Ndoshta Zoti e kishte sjellë në jetë për ti dhuruar vlera vendit të tij. Dhe ai i krijoi. Brezat e sotëm dhe ata të nesërm, kur të shohin punimet e tij do të mrekullohen e do të ndjejnë krenari, se dhe kjo tokë e munduar ka nxjerrë artistë të mëdhenj. Fatmir Haxhiu do të mbetet mjeshtri i pikturës kompozicionale.
Gjeniu me vlera të larta njerëzore, disiplinë të hekurt dhe art të madh. Dufi i tij ishte kanavaca e telajo. Aty shprehte gjithçka. Dashurinë dhe talentin e madh. Në vitin 2000 bëri një vizitë në Kosovë ku e pritën me respekt të veçantë. Do të angazhohej të realizonte disa vepra të karakterit monumental si: "Beteja e Llapit", "Heroizmi i Adem Jasharit", "Masakrat", "Beteja e Fushë Kosovës", etj. Dhjetëra vizatime, skica, ide, kishte realizuar. Por me 10 mars 2001, ai papritur ndahet nga jeta. Sikur vdekja të trokiste në derën e tij, me siguri do të nevrikosej, sepse nuk po e linte të punonte. Jetën nuk e përdori për qejf, po për pasionet e mëdha, Atdheun, krijimtarinë, familjen. Jam krenar që njoha këtë piktor të madh e të talentuar. I lumtur që gëzoj një punë nga duart e tij të arta. Titulli "Piktor i Merituar" dhe më vonë, urdhri "Mjeshtër i Madh i Punës", janë medalje që nderojnë jo vetëm emrin e tij, por gjithë shoqërinë.Sa herë kaloj pas parkut të lodrave për fëmijë "Shtatë xhuxhat" në rrugën e Elbasanit, ngre vështrimin lart. Aty shkruhet: Rruga Fatmir Haxhiu. Ajo rrugë ku banoi mjeshtri i madh, tani mban emrin e tij. Mirënjohje e vyer e shoqërisë për të. Artisti, që adoleshent luftoi për të hapur rrugën e lirisë e më vonë të artit, e meriton një emër të thjeshtë rruge. Por jo vetëm atë. Brezat e ardhshëm do ta vlerësojnë më shumë. Unë gjithnjë them me vete: Këtu ka banuar Rembrandi shqiptar! Dhe unë e kam njohur atë.















Cfare mendimi keni per kete artikull, ju pelqen apo jo?