Kreu | Botime | Diaspora e re Shqiptare

Diaspora e re Shqiptare

Rando Devole
Diaspora e re Diaspora e re

Pushtimi i ambasadave, ikjet masive ne kufi, eksodet biblike me anije, largimet ne pergjithesi, qe pasuan renien e regjimit totalitar shqiptar ne fillim te viteve 90, shenuan edhe zanafillen e formimit te diaspores se re shqiptare. Kjo diaspore erdhi duke i pervijuar gjithnje e me qarte konturet e veta gjate viteve te demokracise, kur emigrimi drejt vendeve perendimore i ndryshoi modalitetet e veta por kurrsesi nuk u shua. Aktualisht pothuajse 800 mije shqiptare banojne jashte truallit te shtetit te tyre. Nje numer i konsiderueshem, sidomos po te kemi parasysh se perbejne gati nje te katerten e popullsise se Shqiperise dhe se emigrimi i shqiptareve u verifikua ne nje periudhe kohore relativisht te shkurter.

Pushtimi i ambasadave, ikjet masive në kufi, eksodet biblike me anije, largimet në përgjithësi, që pasuan rënien e regjimit totalitar shqiptar në fillim të viteve 90, shënuan edhe zanafillën e formimit të diasporës së re shqiptare. Kjo diasporë erdhi duke i përvijuar gjithnjë e më qartë konturet e veta gjatë viteve të demokracisë, kur emigrimi drejt vendeve perëndimore i ndryshoi modalitetet e veta por kurrsesi nuk u shua.

Aktualisht pothuajse 800 mijë shqiptarë banojnë jashtë truallit të shtetit të tyre. Një numër i konsiderueshëm, sidomos po të kemi parasysh se përbëjnë gati një të katërtën e popullsisë së Shqipërisë dhe se emigrimi i shqiptarëve u verifikua në një periudhë kohore relativisht të shkurtër.

Mjaftojnë këto dy konstatime për të na autorizuar të paktën nga ana sasiore përdorimin e një termi ende të pakristalizuar mirë siç është ai i diasporës. Ndryshe nga koncepti fillestar i diasporës, që kishte të bënte me shpërnguljen nga vendi i vet dhe shpërndarjen jo të vullnetshme të një populli në të gjithë botën, koncepti i ri i referohet formave të reja të lëvizjeve të njerëzve. Diasporat e reja ndryshojnë nga ato klasiket (si p.sh. diaspora e hebrenjve) sepse nuk shkaktohen vetëm nga dëbimet, luftërat apo nga katastrofa të tjera. Epoka e sotme e globalizimit karakterizohet nga lëvizje e madhe e njerëzve, të cilët shpërngulen nga një vend në tjetrin për arsye të ndryshme: për punë, për tregti, për studime, etj.

Përqasja midis emigrimit të arbëreshëve dhe të shqiptarëve të sotëm e nxjerr më mirë në pah dallesën midis dy diasporave shqiptare. Ikja nga vendi është gjithnjë traumatike, mirëpo arsyet e largimit të arbëreshëve drejt Italisë (pas pushtimit otoman) nuk mund të barazohen me arsyet që i shtyjnë shqiptarët e sotëm ta lënë vendin e tyre. Lëvizshmëria në ditët tona nga një anë përbën një karakteristikë strukturore të shoqërisë edhe për faktin se si përceptohet sot dukuria e mërgimit , nga ana tjetër ka një komponent jo të detyrueshëm, ose më mirë relativisht të detyrueshëm. Duhet shtuar se emigracioni (imigracioni po qe se shihet nga kahu tjetër) është dukuri themelore edhe për shoqëritë post-industrialiste perëndimore, të cilat shfaqin disa faktorë tërheqës që luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e flukseve emigruese. Ka plot shqiptarë që vendosin të emigrojnë thjesht sepse duan të përmirësojnë nivelin e tyre të jetesës; ose sepse gjejnë jashtë shtetit një punë me të ardhura më të mira se sa ofron vendi i tyre. Në këtë këndvështrim ikja është edhe një zgjedhje, çka nuk mund të pohohet për ata që e lënë vendin për bukën e gojës ose për arsye të tjera detyruese. Pikërisht bashkëjetesa e këtyre tipareve e bën konceptin e diasporës së sotme cilësisht të ndryshme nga koncepti i dikurshëm, i cili intrensikisht përbante idenë e dhunës si shtysë për largimin nga trojet zanafillore.

Diaspora si term, veçanërisht kur përdoret me cilësorin etnik, p.sh. kur thuhet diaspora shqiptare, ka një tendencë përgjithësuese e totalizuese, që i detyrohet origjinës së përbashkët, kujtesës kolektive dhe sidomos historisë së saj të shkurtër. Kjo e fundit, pra fakti që emigracioni shqiptar si dukuri ka jo më shumë se 14 vjet jetë, bën që kujtesa kolektive për vendin dhe identitetin të jetë disi e unifikuar. Kompaktësia e konceptit diaspora shqiptare varet edhe nga efekti ngjizës dhe homogjenizues i mjeteve të kumtimit masiv, të cilat, si rrjedhim i zhvillimeve teknologjike të viteve të fundit, mund ti arrijnë (pra ti furnizojnë kulturalisht) emigrantët shqiptarë kudo që ndodhen. Përndryshe, diaspora shqiptare është një përcaktim i përshtatshëm vetëm në disa kontekste të caktuara, sepse brenda saj nyjtohen tipare shpeshherë thelbësisht dallimore. Në këtë kuptim faktori gjeografik paraqitet si një nga nënkategorizuesit më të efektshëm të diasporës së re shqiptare. Emigrantët shqiptarë në Greqi p.sh. përbëjnë një bashkësi me karakteristika të ndryshme nga bashkëatdhetarët e tyre që banojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dallesat përcaktohen kryesisht nga marrëdhëniet me vendet pritëse, por edhe nga organizimi, proçeset identitare, largësia nga vendlindja, etj. Nga kjo pikëpamje diaspora shqiptare duhet përdorur më mirë në shumës se sa në njëjës.

Zakonisht koncepti diasporë nënkupton një bashkësi etnike të ndërtuar në një periudhë kohore të mesme e të gjatë. Nga kjo pikëpamje (kohore) mund të flitet më shumë për një diasporizim të emigracionit shqiptar, pra për një proçes në evoluim e sipër, se sa për një dukuri të mbyllur përfundimisht; ky saktësim, ndoshta për praktikën i tepruar, merr vlerë më shumë në rastin e diasporës shqiptare që vazhdon ta shtojë nivelin e vet sasior me prurje të reja nga atdheu.

Diaspora shqiptare, gjatë historisë së saj, ka pësuar një frakturë përfundimtare, siç ishte ndërprerja e dukurisë së emigracionit gjatë viteve të regjimit komunist. Kjo vërtet e bën më të lehtë dallimin midis rrathëve kronologjikë të trungut të diasporës shqiptare, por edhe dëshmon për një thyerje të pakthyeshme të komunikimit fiziologjik ndërmjet tokës amë dhe diasporës.

Në përgjithësi komunikimi ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës (të paktën me një pjesë të saj) nuk u ndërpre asnjëherë, megjithëse iu nënshtrua kontrollit të rreptë politik dhe interpretimit ideologjik të leverdisshëm për pushtetin e asaj kohe. Aktualisht modalitetet e komunikimit të diasporës së re me vendin e origjinës janë kryekëput të ndryshme. Përveç mjeteve kanë ndryshuar gjithashtu rrënjësisht filtrat e kanaleve të komunikimit dhe kodet komunikuese.

Diaspora e re shqiptare ka zhvilluar dhe po zhvillon një farë idealizimi ndaj tokës nga e cila e ka prejardhjen; një proçes i natyrshëm për çdo diasporë, i natyrshëm në kuptimin e normalitetit të një dukurie bashkëudhëtare e proçeseve identitare të mërgimtarit. Mirëpo tek diaspora e sotme shqiptare ky idealizim po përftohet nga një alkimi ndjenjash sa interesante aq dhe e ndërlikuar, që lindin dhe reagojnë në një pruvetë globale krejtësisht të ndryshme nga ajo e së kaluarës. Jo i parëndësishëm është në këtë rast ideja e largësisë, e cila është relativizuar shumë vitet e fundit. Largësia gjeografike (hapësinore) ka pësuar një shkurtim real. Mjetet e reja të transportit e sjellin atdheun më afër: në qoftë se dikur Shqipëria ishte muaj të tërë larg po të shikohej nga Amerika, sot ajo është vetëm disa orë fluturimi afër. Dendësimi i komunikimeve ka bërë që largësia e perceptuar të jetë edhe më e vogël, në atë masë që nuk ndërveprojnë faktorë të tjerë individualë e të veçantë. Shqipëria, vendi i origjinës, ndihet më afër nga emigrantët, sepse potencialisht është më afër. Në fakt ëndrra e kthimit mund të mbetet gjithnjë ëndërr, por potencialisht ajo mund të realizohet brenda pak orëve, koha e mjaftueshme për të kaluar nga një agjenci fluturimi dhe për të përgatitur valixhet. Mirëpo gjithkush e di se projekti i kthimit përfundimtar nuk është aq i lehtë për tu realizuar, megjithë rrugëdaljet sa virtuale aq edhe ngushëllimtare të teknologjisë aktuale. Diaspora, si një bashkësi njerëzish që vetëkonceptohet si grup, vepron për përmbushjen e ëndrrës së kthimit. Në këtë pikë nuk mund të thuhet se diaspora shqiptare ka arritur ndonjë stad organizimi të një farë niveli për të mbështetur projektin e kthimit të anëtarëve të saj. Kjo ndoshta për shkak të moshës së saj të re, kushteve ekonomiko-shoqërore në Shqipëri dhe vështirësive organizative, të cilat ndikojnë, midis të tjerash, edhe në shtjellimin dhe konkretizimin e solidaritetit midis emigrantëve shqiptarë. Deri tani shembujt në këtë drejtim janë të një karakteri sporadik dhe jokoherent, megjithëse ndjenja e solidaritetit mbetet një ndjenjë e pranishme dhe e fuqishme.

Diaspora e re shqiptare, me sa duket, ka adoptuar një strategji integruese që shkon përtej ndarjeve komunitariste që janë verifikuar në disa shoqëri multikulturale perëndimore. Ky aspekt ka nevojë për hulumtime të mëtejshme për të kuptuar më mirë nëse kemi të bëjmë me reagime kontingjente dhe kontekstuale, apo bëhet fjalë për një lloj strategjie që e ka ADN në kulturën shqiptare. Nga ana tjetër e ardhmja do të na tregojë se si do ta përballojë diaspora e re shqiptare trysninë e asimilimit në vendet pritëse (kryesisht brezat e dyta dhe të treta) dhe se si do ta konceptojë e riprodhojë vetveten në kapërcyell të dy pllakave të mëdha tektonike të epokës sonë: globalizmit dhe lokalizmit. Nga çdo përplasje, tektonike ose jo, çlirohet energji: diasporës shqiptare i mjafton të kuptojë mënyrën se si ta shfrytëzojë e ta kanalizojë këtë energji të madhe, mekanizmin e së cilës ajo e kupton vetvetiu, falë pozicionit të saj strategjik, i qënies jo vetëm edhe këtu edhe atje, por edhe MIDIS.

Cfare mendimi keni per kete artikull, ju pelqen apo jo?

Subscribe to comments feed Komente: 0 postime

Ju duhet te identifikoheni per te postuar komente!


Rrjete Sociale

Google+

Facebook
Autori
Rando Devole
Rando Devole
Kendi i Reklamave
Fjalekyce
Vleresoni kete artikull
0
Publikoni artikullin
Kendi i Reklamave